Detaje të reja janë bërë publike nga policia për vrasjen e ndodhur një ditë më parë në Fier për 41-vjeçarin Elton Javori.

Sipas njoftimit zyrtar bëhet me dije se mes autorit Agim Gashi dhe viktimës Elton Javori ka patur shkëmbim zjarri.

Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit Agim Gashi, 35 vjeç dhe vëllai i tij Kreshnik Gashi 33 vjeçar, të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.

Teksa paraprakisht mësohet se motivi i kësaj ngjarje është që mes viktimës dhe autorit ka qenë një konflikt i nisur disa kohë më parë.

Njoftimi i policise:

Fier/Informacion shtesë në lidhje me mekanizmin e ngjarjes së ndodhur ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, ku mbeti i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Në vijim të veprimeve hetimore të kryera nga grupi hetimor i përbërë nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Fier dhe atyre të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetetit, rezultoi se:

Ditën e djeshme në lagjen “16 Prilli”, Fier, nga një automjet tip “Benz”, nga krahu i pasagjerit, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit tip “Fuoristradë” e cila drejtohej nga shtetasi E. J., 41 vjeç.

Pas këtij veprimi, shtetasi E. J., ka qëlluar disa herë me armë zjarr pistoletë në drejtim të automjetit tip “Benz”.

Si pasojë e shkëmbimit të zjarrit, ka mbetur i vrarë shtetasi E. J., 41 vjeç.

Nga hetimet rezultoi se autorët që udhëtonin me automjetin tip “Benz” janë shtetasit A. G., 35 vjeç dhe K. G., 33 vjeç(vëllezër), të cilët janë shpallur në kërkim dhe po punohet intensivisht për kapjen dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore.