TIRANË- Janë identifikuar dy persona që kanë humbur jetën në aksidentin tragjik që ndodhi paraditen e sotme në rrugën e Arbrit, pranë fshatit Zall Bastar. Policia njofton se shtetasit që kanë ndërruar jetë janë Marsel Tefa, rreth 35 vjeç, dhe Egla Celami, 29 vjeçe nga Burreli.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë pak më parë, ju informojmë se shtetasit që kanë ndërruar jetë janë M. T., rreth 35 vjeç, dhe E. C., 29 vjeçe.”, thuhet në njoftimin e policisë.

Aksidenti dyshohet se erdhi si pasojë e një parakalimi të gabuar nga automjeti tip Volkswagen Cady, ndërkohë makina tip Toyota Yaris vinte nga ByPassi i Murrizit në drejtim të Tiranës.

Në momentin që Caddy është futur në parakalim ka goditur Toyotën, e cila si pasojë e shpejtësisë dhe përplasjes është rrotulluar në ajër dhe ka rënë në kanalin anësor të rrugës. Sipas të dhënave paraprake, në makinën tip Toyota udhëtonin çifti i të rinjve që mbetën të vdekur në vendngjarje. Ndërkohë shoferi i Caddyt ndodhet në gjendje të rëndë për jetën për shkak të plagëve të marra.