TIRANË-Punonte në kompaninë e saj, reagon Zajmina Vasjari për gruan që u vetëflijua në Durrës. Këngëtarja Zajmina Vasjari ka reaguar për vetëvrasjen e 41-vjeçares, Bedrie Loka, nënë e katër fëmijëve, pas bullizimit në platformën “Tik-Tok” dhe dhunës nga bashkëshorti.
Këngëtarja ka zbuluar se e ndjera punonte në kompanin e saj. Zajmina shprehet se askujt nuk i interesoi historia e një gruaje të dhunuar por iu interesoi historia e Tik Tokut.
“Tani do prehesh ne paqe Bedrie! U përpoqa shume dje te zbardhja historinë tënde nga lajmi i rremë qe portalet te përfshinë, por për fat te keq askujt nuk i interesoi historia e një gruaje te dhunuar se ndoshta është shume e dëgjuar, por historia e tik tokut do ishte lajm me i klikuar. Për fat te keq sot edhe lajmi i vdekjes shet pa i interesuar e vërteta. Ti ishe një grua e bukur, e zonja, e forte, një nga punëtoret me te shkëlqyera të kompanisë tone, e ndershme dhe një nënë shembullore. Ngushëllime te përzemërta familjareve!”, shkruan Zajmina Vasjari.
Bedrie Loka nga fshati Vardardhë i Sukthit, nënë e 4 fëmijëve i ka dhënë fund jetës, pas denigrimit në rrjetet sociale. Në emër të saj u hapën profile, kryesisht në Tik-Tok, që denigronin figurën e saj si grua, me etiketime si e pamoralshme. 41-vjeçarja nuk i ka rezistuar presionit shoqëror në një komunitet të vogël dhe më pas edhe në familje. Në kushte të rënduara psikologjike ka pirë fostoksinë, tri ditë më parë, më 2 janar. Familjarët e kanë çuar me urgjencë në spital në Tiranë, por gruaja ndërroi jetë. Nëna e 4 fëmijëve, 3 djemve dhe 1 vajze, përkatësisht 21 vjeç,18 vjeç,16 vjeç dhe 10 vjeç, punonte në një fabrikë fasonerie në zonën e Fllakës.




