ITALIA- Një aksident me pasojë humbjen e jetë së dy të rinjve shqiptarë ka ndodhur në Itali përgjatë rrugës, Casilina, mes Colleferro dhe Anagni mbrëmjen e së shtunës. Mësohet se pak pas orës 22:00, disa persona po udhëtonin me një BMW të zezë në drejtim të Colleferro, kur shoferi humbi kontrollin e makinës. Pasi ka përfunduar jashtë rrugës, makina ka marrë flakë. Dy viktimat kanë ngecur brenda dhe lidhur me ngjarjen mësohet se një i tretë ndodhet në gjendje të rëndë. Shkak i aksidentit dyshohet të jetë shpejtësia e lartë.

Përveç karabinierëve nga Colleferro, në vendngjarje kanë ndërhyrë edhe zjarrfikësit dhe ambulancat. Raportohet se i plagosuri u transportua me kodin e kuq në Colleferro. Ndërkohë trupat u dërguan në morgun e Poliklinikës Tor Vergata ku u identifikuan falë gjurmëve të gishtërinjve.

Sipas asaj që bëri me dije policia, në bagazhin e makinës u gjetën mjete për vjedhje, por në fakt dhe vetë mjeti rezultonte i vjedhur. Mediat italiane shkruajnë se të rinjtë janë të dënuar më parë për krime pronësie.