Detaje të reja nga operacioni antidrogë në Tiranë, tre të rinjtë përfshirë këtu edhe Kryetari i Shoqatës së Transportit Ndërqytetës, do të shkëmbenin drogë në rrugën “Mihal Duri”, aty ku edhe u arrestuan.
Eneo Sulejmani ka tentuar që të largohet dhe ka përplasur makinën e 3 agjentëve të antidrogës, duke u rrezikuar jetën.
EMRI/ Kreu i ‘Transportit’ ndërqytetës me 1 kilogram kokainë tentoi të shtypë policët, por njëri e qëlloi!
Efektivi ka qëlluar në kushtet e vetëmbrojtjes në mënyrë të pavullnetshme. 1 plumb i qëlluar ka depërtuar në pjesën e dorezës së derës së anës së shoferit, ka depërtuar brenda dhe e ka kapur Sulejmanin në kofshë.
Njoftimi i policisë:
Sot më datë 21.03.2024, në vendin e quajtur rruga “Mihal Duri”, gjatë një operacioni policor të strukturës për Hetimin e Narkotikëve në DVP Tiranë, kanë qenë duke kryer veprime operacionale në kuadër të procedimit penal nr. 496 te vitit 2024, veprime të autorizuara nga organi i Prokurorisë Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Gjatë momentit që stuktura operacionale ka tentuar të ndalojë automjetin tip “Volkswagen Tiguan” me ngjyrë të bardhë me targë AB 780 MP, drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrave të policisë për të ndaluar dhe ka ecur mbrapsht duke rrezikuar jetën e punonjësve të policisë dhe duke përplasur me qëllim shmangien automjetin e sherbimit të policisë.
Gjatë tentativës për t’u larguar një nga punonjësit e policisë ka qëlluar me armë në drejtim të automjetit dhe për pasojë është plagosur shtetasi E. S., i cili është dërguar menjëherë në spitalin e traumës nga punonjesit e policisë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.
Në automjet janë konstatuar dhe dy persona të tjerë të cilët janë shoqëruar në ambientet e DVP Tiranë.
Në automjet është konstatuar një pako me peshë rreth 1 kg brenda së cilës dyshohet se lende narkotike kokainë.
Janë njoftuar strukturat e AMP-se të cilat do të kryejnë veprimet hetimore nën drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
AMP, pas kryerjes së veprimeve të para në vendngjarje dhe sqarimit të të gjitha rrethanave do të bëjë njoftim të plotë mbi këtë ngjarje.





