Gjykata e Elbasanit ka dënuar në mungesë me 17 vite burg Erjon Llapushin, i akuzuar për vrasjen e kamarierit Gazment Kurmaku më 2 tetor 2021 në një lokal në Elbasan. Sipas hetimeve, konflikti mes Llapushit dhe viktimës nisi për shkak të një tavoline të rezervuar, duke çuar në sulmin fatal ndaj Kurmakut.

Erjon Llapushi, 34 vjeç, është një person me precedentë të shumtë penalë. Në maj 2021, ai u arrestua për transportimin e 24 emigrantëve të paligjshëm, të cilëve u kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së kundrejt shpërblimit. Gjithashtu, në vitin 2019, ai, së bashku me një bashkëpunëtor, përmes presionit dhe shantazhit, arriti të merrte 17% të aksioneve të një kompanie private të transportit, të cilat më pas i shiti një personi tjetër. Në vitin 2008, Llapushi plagosi rëndë me armë zjarri Mariglen Topuzin në një lokal në Pogradec, duke i shkaktuar plagë në kokë dhe gjoks.

Pavarësisht dënimit të fundit, Erjon Llapushi vazhdon të jetë në kërkim nga autoritetet. Më 17 janar 2025, forcat RENEA dhe FNSH zhvilluan një operacion në Pogradec, ku rrethuan banesën e tij dhe kryen kontrolle të imtësishme, por nuk arritën ta arrestonin. Gjatë operacionit, u sekuestruan armë dhe lëndë narkotike.

‘Sot më datë 23.01.2025 është zhvilluar seanca gjyqësore për të pandehurin E.Ll me Trup Gjykues Kryesues Gjyqtare znj. Yrfet Shkreli.

Rezulton vendimmarrje sot më datë 23.01.2025 “Deklarim Fajtor” për veprën penale ” “Vrasje me dashje”, parashikuar nga neni 76 i Kodit Penal, në bazë të kësaj dispozite dënimin e tij me 17 (shtatëmbëdhjetë) vjet burgim.

Në aplikim të nenit 406 të Kodit të Procedurës Penale, dënimit të caktuar, i ulet 1/3 e tij, duke e dënuar përfundimisht me 11(njëmbëdhjetë) vjet e 4 ( katër) muaj burgim’, njofton Gjykata.