Elbasan, — Universiteti i Elbasanit “Aleksandër Xhuvani” organizoi për herë të parë Forumin “Dita Ndërkombëtare e Grave dhe Vajzave në Shkencë”, një aktivitet me impakt të veçantë që bashkoi nxënës olimpikë të gjimnazeve të qytetit dhe studentë ekselentë të universitetit, në një platformë të përbashkët reflektimi dhe frymëzimi.

Forumi e shndërroi universitetin në një hapësirë të hapur dialogu, ku gra profesioniste nga fusha të ndryshme ndanë me maturantet dhe studentet përvojën e tyre personale dhe profesionale. Ato sollën në vëmendje rrugëtimin drejt suksesit, sfidat e kapërcyera, arritjet e shënuara dhe përgjegjësitë që mbartin në sektorët që përfaqësojnë, duke ofruar modele konkrete për fuqizimin e vajzave dhe grave në shkencë dhe në jetën publike.

Në fjalën e saj përshëndetëse, Rektorja e Universitetit, Prof. Dr. Elvira Fetahu, theksoi se Universiteti i Elbasanit është më shumë se një institucion i arsimit të lartë, duke e cilësuar atë si një platformë që krijon mundësi reale për zhvillimin dhe fuqizimin e grave dhe vajzave. Ajo nënvizoi angazhimin institucional për zbatimin e politikave të barazisë gjinore, përfshirjen aktive të grave në kërkimin shkencor dhe ndërtimin e një mjedisi akademik ku talenti dhe mendimi kritik vlerësohen mbi çdo barrierë artificiale.

“Shkenca dhe lidershipi nuk kanë gjini; ato kanë vizion, përkushtim dhe integritet”, u shpreh Rektorja, duke inkurajuar vajzat të besojnë në potencialin e tyre dhe ta shohin universitetin si hapësirën ku ambicia shndërrohet në arritje konkrete.

Panelistet vlerësuan rolin aktiv të Universitetit të Elbasanit në promovimin e dialogut cilësor dhe në ndërtimin e një kulture akademike që nxit mendimin e lirë, përgjegjësinë qytetare dhe përfaqësimin dinjitoz në çdo fushë të jetës shoqërore dhe profesionale.