Mijëra besimtarë myslimanë në të gjithë Shqipërinë kanë falur namazin e Fitër Bajramit në orët e para të mëngjesit, duke shënuar përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazanit.
Ceremonitë kryesore u zhvilluan në sheshe dhe xhami në disa qytete të vendit, përfshirë Tiranën, Durrësin, Vlorën, Fierin, Korçën, Kukësin, Shkodrën, Elbasanin dhe të tjera, ku besimtarët u mblodhën në një atmosferë paqësore dhe solemne.
Në Tiranë, sheshi “Skënderbej” mirëpriti mijëra besimtarë, ndërsa pamjet me dron treguan një pjesëmarrje të gjerë në faljen e madhe. Ceremoni të ngjashme u zhvilluan edhe në qytete të tjera, ku besimtarët shkëmbyen urime për paqe, shëndet dhe begati.
Kreu i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, Bujar Spahiu, në mesazhin e tij theksoi rëndësinë e paqes dhe solidaritetit, duke kujtuar se lutjet në këtë ditë të shenjtë shkojnë për të gjithë ata që vuajnë nga luftërat dhe konfliktet.
“Lutjet tona janë për fëmijët që rriten mes frikës, për familjet që përjetojnë dhimbjen e humbjes dhe për popujt që kërkojnë paqe dhe drejtësi,” u shpreh ai.
Në qytete si Vlora dhe Pogradeci, pjesë e ceremonive u bënë edhe qytetarë të huaj dhe fëmijë, duke i dhënë festës një dimension më të gjerë social dhe komunitar. Në disa zona, si Korça, festa u shoqërua edhe me elemente festive si fishekzjarre, ndërsa në qytete të tjera u përcollën mesazhe për më shumë bashkim dhe mirëkuptim.
Fitër Bajrami, që vjen pas 30 ditësh agjërimi, simbolizon sakrificën, përkushtimin dhe pastërtinë shpirtërore. Pas faljes, besimtarët vijojnë traditën duke vizituar të afërmit, duke ndihmuar familjet në nevojë dhe duke festuar në rrethin familjar.





