Bullgaria është shpallur fituese e Eurovision Song Contest 2026, falë performancës së këngëtares Dara me këngën “Banagaranga”, e cila grumbulloi gjithsej 516 pikë, duke siguruar triumfin falë mbështetjes së fuqishme nga publiku europian.

Në vendin e dytë u rendit Izraeli me 343 pikë, ndërsa Shqipëria përfundoi garën në vendin e 13-të me 145 pikë. Kënga “Nan”, e interpretuar nga Alis, arriti të siguronte 85 pikë nga televotimi i publikut.

Portugalia rezultoi vendi që mbështeti më shumë Shqipërinë, duke i dhënë 12 pikët maksimale, ndërsa Mali i Zi e vlerësoi këngën shqiptare me 10 pikë. Nga ana tjetër, juria shqiptare i akordoi Italisë 12 pikë, ndërkohë që Italia nuk i dha asnjë pikë Shqipërisë. Greqia e vlerësoi përfaqësimin shqiptar me vetëm 1 pikë.

Fitore historike për Bullgarinë

Triumfi i Dara-s shënon një moment historik për Bullgarinë, e cila rikthehet në Eurovision pas katër vitesh mungesë dhe arrin menjëherë të fitojë edicionin e 70-të të festivalit, të zhvilluar në Vienna.

Sipas formatit tradicional të Eurovisionit, fillimisht u shpallën votat e jurive profesionale dhe më pas televotimi i publikut. “Banagaranga” dominoi renditjen e jurive me 204 pikë, ndërsa nga publiku mori plot 312 pikë, duke vulosur fitoren me diferencë të thellë.

Kush është Dara?

Dara konsiderohet një nga artistet më të njohura të muzikës pop në Bullgari dhe një prej figurave më të spikatura të skenës moderne muzikore në Ballkan.

Ajo është bërë e njohur me hitet “Thunder”, “Call Me” dhe “Mr. Rover”, këngë që kanë dominuar klasifikimet muzikore në vendin e saj dhe më gjerë. Këngët dhe projektet e saj muzikore kanë regjistruar mbi 80 milionë dëgjime dhe shikime në platformat dixhitale.

Artistja ka qenë gjithashtu mentore në The Voice of Bulgaria gjatë viteve 2021 dhe 2022. Në vitin 2025 ajo publikoi albumin ADHDARA, i konsideruar si projekti i saj më personal dhe më ambicioz në karrierë.

Eurovision 2026 mes muzikës dhe tensioneve politike

Finalja e madhe e Eurovision Song Contest 2026 u shoqërua jo vetëm me atmosferë festive, por edhe me tensione të forta politike dhe protesta të shumta lidhur me pjesëmarrjen e Izraelit dhe luftën në Gaza.

Edicioni i këtij viti konsiderohet një nga më të debatueshmit në historinë moderne të festivalit. Për muaj me radhë, në Vienë u organizuan protesta dhe demonstrata, ndërsa siguria në kryeqytetin austriak u përforcua ndjeshëm.

Pesë shtete vendosën të bojkotojnë festivalin:

Spanja si pjesë e “Big 5”, u tërhoq nga gara, duke krijuar mungesë të konsiderueshme financiare dhe televizive për organizatorët;
Irelanda bojkotoi në shenjë proteste ndaj pjesëmarrjes së Izraelit;
Hollanda u tërhoq zyrtarisht nga gara, megjithëse televizioni publik vijoi transmetimin e eventit;
Islanda deklaroi se “nuk ka paqe dhe gëzim” në klimën aktuale ndërkombëtare;
Slovenia zëvendësoi transmetimin e Eurovisionit me programe speciale kushtuar Palestinës.

Pavarësisht polemikave dhe debateve politike, Eurovision 2026 mbetet një nga edicionet më të ndjekura dhe më të komentuara në historinë e festivalit europian të muzikës.