Lushnjë, 19 maj 2026 – Një zjarr i përmasave të mëdha ka shkrumbuar gjatë orëve të para të mëngjesit tregun e ri të fruta-perimeve në lagjen “Xhevdet Nepravishta”, pranë stadiumit në Lushnjë.

Tregu, i ndërtuar tre vite më parë nga Bashkia Lushnjë, ishte pika kryesore e tregtimit për mbi 50 tregtarë që ushtronin çdo ditë aktivitetin e tyre me produkte bujqësore dhe blegtorale.

Sipas të dhënave paraprake, zjarri ka rënë rreth orës 03:30 të mëngjesit. Dyshimet e para lidhen me një shkëndijë elektrike të shkaktuar nga sistemi i ndriçimit gjatë natës, ndërsa grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkaqeve zyrtare të ngjarjes.

Flakët kanë përfshirë të gjithë hapësirën e tregut, duke shkrumbuar mallrat e lëna brenda nga tregtarët. Dëmet materiale raportohen të konsiderueshme.

Tregtarët e dëmtuar kërkojnë dëmshpërblim nga shteti, ndërsa shprehen se paguajnë rregullisht një tarifë mujore prej 35 mijë lekësh të vjetra për ushtrimin e aktivitetit në këtë treg. Sipas tyre, zjarri ka lënë pa burim të ardhurash dhjetëra familje.