Policia e Shkodrës ka zbardhur detajet e para lidhur me aksidentin tragjik të regjistruar mëngjesin e sotëm në unazën perëndimore të qytetit. Sipas njoftimit zyrtar, bëhet fjalë për një përplasje të dyfishtë ku janë përfshirë dy automjete dhe një biçiklist.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 08:10, kur një automjet që drejtohej nga shtetasi A. G. ka përplasur fillimisht një makinë tjetër medrejtues shtetasin F. L., dhe më pas ka goditur fatalisht shtetasin që po lëvizte me biçikletë. Si pasojë e goditjes së fortë, ka ndërruar jetë në vendngjarje biçiklisti, një burrë rreth të 50-tave, ndërsa dy drejtuesit e mjeteve kanë mbetur të dëmtuar lehtë.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.
Njoftimi i plotë i Policisë:
“Rreth orës 08:10, në unazën perëndimore të qytetit të Shkodrës, automjeti me drejtues shtetasin A. G. ka përplasur automjetin me drejtues shtetasin F. L. dhe më pas ka përplasur edhe një shtetas që lëvizte me biçikletë. Si pasojë e aksidentit, ka humbur jetën shtetasi që lëvizte me biçikletë, rreth 50 vjeç, si dhe janë dëmtuar lehtë të dy drejtuesit e automjeteve. Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit.”





