Ka nisur protesta në mbështetje të studentëve shqiptare në Maqedoninë e Veriut, të cilët kërkojnë që provimin e Jurispridencës ta zhvillojnë në Gjuhën Shqipe.

Ashtu siç ishte paralajmëruar protesta është organizuar në Tiranë, në Sheshin “Skenderbej”.

Të shumtë janë studentët që i janë bashkuar kësaj proteste në Tiranë.

Me pankarta në duar, ata theksojnë do të qëndrojnë në mbështetje të studentëve në RMV, “Një gjuhë na bashkon përtej kufijve”, shkruhet në një prej pankartave.

Gjatë protestës, një prej studentëve tha se nuk do të heshtin. Ai u shpreh se gjuha është amanet dhe sot problemi po kthehet në kombëtar. Studenti nga Maqedonia e Veriut nënvizoi se nuk po kërkojnë privilegje, por barazi e respekt.

“Na thanë se jemi vetëm, se do të lodhemi! E kishin gabim! Kush foli për ju, kush flet për ne, heshtën? Kur vjen dita për të zgjedhur mes karriges dhe gjuhës amtare, zgjedhin karrigen! Ne jo, ne nuk heshtim. Gjuha shqipe është kujtesa jonë, amaneti që na kanë lënë brezat që nuk u përkulën kurrë. Gjuha na mbajti gjallë kur perandoritë erdhën dhe ranë. Gjuha na bashkoi kur na ndanë. Sot na thonë se duhet të kërkojmë leje për ta përdorur? Jo, kurrë! Ne s’kemi karrige për të ruajtur! Ne kemi vetëm gjuhën tonë! Ajo që nisi si problem i kolegëve në drejtësi, sot po kthehet në problem kombëtar. Ne nuk kërkojmë privilegje, vetëm barazi dhe respekt për atë që na takon. Sot na takon vetëm një mesazh: ne jemi një dhe të tillë do të qëndrojmë! Bashkë në çdo sfidë, në mbrojtje të identitetit, gjuhës!”, tha njëri prej protestuesve nga Maqedonia e Veriut.