Tiranë, 11 qershor 2026 – Departamenti Amerikan i Shtetit ka reaguar lidhur me deklaratat e kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili ka pretenduar se ndaj tij është hequr masa e shpalljes “non grata”.
Në një përgjigje për Top News, një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka sqaruar se administrata amerikane ka miratuar përjashtime për disa përcaktime dhe sanksione të vendosura më herët në bazë të nenit 7031(c), duke argumentuar se këto vendime i shërbejnë interesit kombëtar të Shteteve të Bashkuara.
“Departamenti i Shtetit ka bërë përjashtime (waivers) për disa përcaktime dhe sanksione sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar”, thuhet në reagimin e DASH.
Sipas legjislacionit amerikan, termi “waiver” nënkupton një përjashtim ose pezullim të përkohshëm të efekteve të një sanksioni apo kufizimi të caktuar, pa nënkuptuar domosdoshmërisht anulimin e tij të plotë.
Neni 7031(c) përdoret nga autoritetet amerikane për të vendosur kufizime hyrjeje në SHBA ndaj zyrtarëve të huaj dhe anëtarëve të familjeve të tyre, në rastet kur ekzistojnë informacione të besueshme për përfshirje në korrupsion të rëndë ose shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Në praktikë, përjashtimet e bazuara në interesin kombëtar mund të jepen për arsye diplomatike, strategjike, të sigurisë kombëtare ose në funksion të objektivave të politikës së jashtme amerikane.
Megjithatë, formulimi i përdorur nga Departamenti i Shtetit nuk specifikon rastet konkrete për të cilat janë dhënë këto përjashtime dhe as nuk sqaron nëse ato përbëjnë heqje përfundimtare të përcaktimeve të mëparshme.
Reagimi vjen në një moment kur statusi i Sali Berishës në raport me vendimin e shpalljes “non grata” ka qenë objekt debatesh politike dhe interpretimesh të ndryshme në Shqipëri.





