POGRADEC- Një aksident i rëndë rrugor është regjistruar në aksin nacional Pogradec–Lin, pranë fshatit Pojskë, ku dy automjete janë përplasur me njëra-tjetrën. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën një grua, e cila udhëtonte si pasagjere në njërin prej automjeteve të përfshira në aksident.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 11:30, automjeti që drejtohej nga shtetasi G.H., banues në Korçë, është përplasur me një automjet me targa të huaja, me drejtues shtetasin E.Ll., banues në Maqedoninë e Veriut.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë Elmedina Lloga, 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, e cila udhëtonte si pasagjere në automjetin me targa të huaja.

Nga aksidenti janë dëmtuar gjithashtu të dy drejtuesit e mjeteve dhe dy pasagjerë të tjerë që ndodheshin në automjetet e përfshira në përplasje. Sipas policisë, katër të lënduarit janë transportuar në spital, ku po marrin mjekim dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendin e ngjarjes dhe po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve që çuan në aksidentin fatal.

Pogradec/Informacion paraprak

Rreth orës 11:30, në aksin rrugor “Pogradec–Qafë Thanë”, automjeti me drejtues shtetasin G. H., banues në Korçë, është përplasur me një automjet me targa të huaja, me drejtues shtetasin E. LL., banues në Maqedoninë e Veriut.

Si pasojë e përplasjes ka ndërruar jetë shtetasja E. Ll., 26 vjeçe, banuese në Maqedoninë e Veriut, pasagjere e cila ndodhej në automjetin me targa të huaja, si dhe janë dëmtuar drejtuesit e automjeteve dhe dy pasagjerët që ndodheshin në të dy automjetet.

Katër të dëmtuarit po marrin mjekim në spital dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.