Tiranë, 16 Qershor 2026 — Deputetja e pavarur, Marjana Koçeku, ka reaguar ashpër ndaj kërkesës së Partisë Socialiste për dorëzimin e mandatit të saj të deputetit, duke u kthyer një përgjigje sfiduese ish-kolegëve të saj të majtë.
Përmes një deklarate publike, Koçeku ka hedhur poshtë pretendimet e socialistëve, duke deklaruar se nuk është ajo që ua ka marrë mandatin, por përkundrazi, ka qenë mazhoranca që ia ka marrë atë për 10 muaj rresht. Sipas saj, tashmë që situata ka ndryshuar, mandati ka kaluar në vendin që i takon.
Në qëndrimin e saj, deputetja e njohur ndryshe edhe si “Neomalësorja”, ka sfiduar hapur forcën politike të PS-së për të shpërndarë Parlamentin dhe për të shkuar në zgjedhje të parakohshme me qëllim matjen e forcave në terren. Ajo ironizoi sigurinë e socialistëve për numrin e mandateve që zotërojnë aktualisht në Kuvend, duke paralajmëruar një kandidim të mundshëm në qarkun e Tiranës me një stil krejtësisht të veçantë.
“Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë,” u shpreh Koçeku në reagimin e saj, duke shtuar me ironi se para se të zbresë në kryeqytet, do t’u kërkojë leje malësorëve të saj për të folur gjuhën standarde.
Reagimi i deputetes së pavarur, Marjana Koçeku:
Nuk ua kam marrë mandatin e deputetit. Ma keni marrë ju mue, për 10 muej rresht.
Tash mandati ka ardhë në vend të vet.
Nëse jeni kaq të sigurt që unë nuk fitoj pa ju dhe ju i keni plot 83 mandate, atëherë shpërndajeni parlamentin, shkojmë në zgjedhje të parakohshme dhe masim forcat se kush fiton çka.
Kësaj radhe do marr me vete kecin tim të shtrenjtë, bashkë me kmesën e mprehtë, dhe do zbres me kandidue në Tiranë.
Para se të vij, ndoshta iu marr leje malësorëve të mi me e folë gjuhën standarde.





