DURRËS- Një aksident tragjik është regjistruar në orët e para të mëngjesit në Manzë të Durrësit, ku tre persona kanë humbur jetën dhe dy të tjerë janë plagosur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 02:22, në një rrugë dytësore të Manzës. Sipas Policisë, drejtuesi i automjetit ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me një bordurë betoni.

Përplasja ka qenë fatale për tre prej personave që ndodheshin në automjet. Viktimat janë Kleo Vrioni, 25 vjeç, drejtuesi i mjetit, Sara Brugentelli, 26 vjeçe, dhe Alvi Muhaxhiri, 15 vjeç.

Ndërkohë, dy pasagjerët e tjerë kanë mbetur të plagosur. Bëhet fjalë për Rejsi Vrijoni, 25 vjeç, dhe Klevis Dervishi, 16 vjeç.

Dy të plagosurit janë nisur drejt Tiranës për të marrë ndihmë mjekësore, ndërsa 16-vjeçari Klevis Dervishi ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Viktimat e aksidentit

Kleo Vrioni – 25 vjeç
Sara Brugentelli – 26 vjeçe
Alvi Muhaxhiri – 15 vjeç

Të plagosurit

Rejsi Vrijoni – 25 vjeç
Klevis Dervishi – 16 vjeç, në gjendje të rëndë shëndetësore

Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor, i cili po punon për dokumentimin e plotë të aksidentit dhe sqarimin e rrethanave të tij.

Njoftimi i Policisë:

“Durrës/Informacion paraprak. Rreth orës 02:22, në rrugën dytësore në Manzë, shtetasi K. V., duke drejtuar automjetin, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e tij dhe, për pasojë, automjeti është përplasur me një bordurë betoni.

Si pasojë e aksidentit, drejtuesi i automjetit, shtetasi K. V., 25 vjeç, dhe pasagjerët, shtetasit S. B., 26 vjeçe, dhe A. M., 15 vjeç, kanë humbur jetën.

Pasagjerët e tjerë, shtetasit R. V., 25 vjeç, dhe K. D., 16 vjeç, janë dëmtuar dhe janë nisur drejt Tiranës për ndihmë mjekësore. K. D. ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për dokumentimin dhe sqarimin e plotë të rrethanave të aksidentit.”