LUSHNJË – Dalin detaje të reja nga ngjarja e rëndë e regjistruar mbrëmjen e së hënës në fshatin Zhymë të Lushnjës, ku Florion Dalladaku, 45 vjeç, dyshohet se vrau nënën e tij dhe plagosi rëndë babanë.

Pas ngjarjes është publikuar edhe fotoja e 45-vjeçarit, i cili vijon të jetë në kërkim nga Policia.

Sipas të dhënave paraprake, Dalladaku është larguar nga banesa pas krimit me një automjet tip Ford, duke marrë drejtim të paditur.

Ngjarja ndodhi rreth orës 21:20, në banesën e familjes Dalladaku. 45-vjeçari dyshohet se ka sulmuar prindërit e tij me një send metalik prerës, sëpatë.

Si pasojë e plagëve të marra, Fanije Dalladaku, 80 vjeçe, ka humbur jetën, ndërsa Hasan Dalladaku, 77 vjeç, është plagosur rëndë dhe ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.

Policia në kërkim të 45-vjeçarit

Shërbimet e Policisë kanë intensifikuar kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e Florion Dalladakut.

Sipas autoriteteve, 45-vjeçari dyshohet se ka probleme të shëndetit mendor, ndërsa motivet e sulmit mbeten ende të paqarta.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.

Policia po verifikon gjithashtu itinerarin e largimit të 45-vjeçarit dhe të dhënat që mund të ndihmojnë në lokalizimin e tij.