FIER — Një atentat me armë zjarri ka tronditur mëngjesin e kësaj të hëne qytetin e Fierit, ku mbeti i vrarë 60-vjeçari Selami Hasani, i njohur me nofkat “Sel Çami” dhe “Seli i Malit”, ndërsa u plagos nipi i tij, 47-vjeçari J. H. Ngjarja e rëndë u regjistrua rreth orës 09:40–09:50 në lagjen “1 Maji” të Fierit, në perimetrin e jashtëm të banesës së viktimës.
Sipas detajeve të bëra publike nga nëndrejtori i Policisë së Fierit, Alkët Ahmetaj, telefonata për të shtëna me armë mbërriti rreth orës 09:50 në sallën operative të Drejtorisë Vendore të Policisë Fier. Pas mbërritjes në vendngjarje të forcave “Shqiponja” dhe patrullave të përgjithshme, efektivët konstatuan se një shtetas kishte humbur jetën dhe një tjetër ishte plagosur. Ahmetaj sqaroi se ngjarja ka ndodhur jashtë oborrit të banesës, ku viktima ishte duke punuar në murin rrethues, ndërsa në të njëjtin vend mbeti i plagosur edhe nipi i tij, i cili po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Fierit.
Fillimisht u raportua paraprakisht se i plagosuri ishte vëllai i viktimës, por Policia e Fierit doli me një njoftim zyrtar sqarues duke bërë me dije se shtetasi J. H., 47 vjeç, nuk është vëllai i viktimës S. H., 60 vjeç, por nipi i tij.
Menjëherë pas krimit, shërbimet e policisë u vunë në ndjekje të autorëve, duke kryer kontrolle intensive në zonë, në disa banesa dhe ambiente të ndryshme, si dhe duke këqyrur pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të ngjarjes. Pak minuta pas atentatit, policia gjeti në fshatin Dërmenas një automjet tip “Volvo” duke u djegur, si dhe një mjet të djegur në rrethrrotullimin e Pojanit, në drejtim të Parkut Arkeologjik të Apolonisë, të cilat dyshohet se janë përdorur nga autorët e krimit.
Për të parandaluar largimin e autorëve, Policia e Lushnjës ka ngritur postblloqe përgjatë autostradës Fier–Lushnjë duke ushtruar kontrolle masive ndaj automjeteve të dyshimta, ndërsa janë koordinuar veprimet edhe me Drejtoritë Vendore të Policisë Gjirokastër dhe Vlorë, të cilat kanë ngritur pika kontrolli në akset rrugore. Në të njëjtën kohë, policia ka ushtruar kontrolle dhe bastisje në banesën e Arben Isufajt, i njohur si “Ben Qimja”, pasi një nga pistat kryesore të hetimit për këtë ekzekutim është ajo e hakmarrjes.
Viktima Selami Hasani rezulton një emër i njohur për drejtësinë shqiptare dhe ishte liruar nga burgu vetëm një javë më parë, pasi kishte vuajtur 17 vite burg nga dënimi total prej 25 vitesh që i ishte dhënë për një ngjarje të rëndë kriminale të ndodhur më 25 mars 2002 në zonën e njohur si “Sheshi i Valutës” në Fier. Atë ditë, gjatë një shkëmbimi zjarri ku u përfshinë Selami Hasani, Pëllumb Yzeiri dhe Kujtim Hasanbasha, mbetën të vrarë Julian Isufaj, nipi i Arben Isufajt (“Ben Qimes”), dhe kambisti Esat Tare, ndërsa u plagosën Bledar Kastrati dhe kalimtari i rastit Taip Sulaj. Pas ngjarjes së vitit 2002, Hasani u largua nga Shqipëria dhe qëndroi për shtatë vite në arrati, derisa u arrestua në Fier më 12 gusht 2009 nga forcat speciale RENEA gjatë operacionit të koduar “Parukieri”, ku iu sekuestruan edhe dy pistoleta.
Përplasja mes familjeve Hasani dhe Isufaj e ka zanafillën në fillim të viteve ’90, kur “Sel Çami” ishte një nga personazhet e njohur të Fierit dhe Arben Isufaj, asokohe rreth 19 vjeç, kishte shoqëri me njerëz të afërt me të. Në fillim të vitit 1994, Isufaj u përfshi në një konflikt me Pirro Koçiun dhe dy kushërinj të tij me mbiemrin Yzeiri, të cilët përshkruheshin si persona të afërt me Selami Hasanin. Në konflikt ndërhyri edhe babai i Arbenit, Enver Isufaj, për të zgjidhur mosmarrëveshjen, por pak kohë më vonë ai u vra në një bilardo pranë banesës së tij në zonën e Sheqit në Fier.
Pas vrasjes së të atit, Arben Isufaj u largua jashtë Shqipërisë për disa vite dhe u rikthye në fund të viteve ’90, ndërsa hetimet e mëvonshme ngritën dyshime se në vrasjen e Enver Isufajt kishin marrë pjesë Vladimir Hasani, vëllai i “Sel Çamit”, dhe Pëllumb Yzeiri, megjithëse kjo vrasje nuk u zbardh përfundimisht me vendim gjykate në atë kohë. Zinxhiri i hakmarrjeve vijoi me vrasjen e Vladimir Hasanit në qendër të Fierit në vitin 1998 dhe vrasjen e Pajtim Yzeirit në Spanjë në vitin 2001, për të kulmuar më 25 mars 2002 me vrasjen e Julian Isufajt.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë së Fierit, vijon intensivisht veprimet për fiksimin e çdo prove materiale, verifikimin e automjeteve të djegura dhe zbardhjen e plotë të rrethanave dhe autorësisë së atentatit të kësaj të hëne.





