Një aksident i rëndë rrugor ka ndodhur në Italy, ku një 19-vjeçar me origjinë shqiptare ka humbur jetën mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00.
Sipas mediave lokale, i riu, banues në Monopoli, ndodhej në sediljen e pasme të një automjeti tip Mercedes-Benz kur makina u përplas me një automjet tjetër tip Toyota, i drejtuar nga një grua.
Përplasja ka qenë shumë e fortë, duke bërë që të dy automjetet të godasin edhe disa makina të parkuara në rrugë, duke shkaktuar dëme të shumta materiale.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë shërbimet e emergjencës, përfshirë ambulancat, zjarrfikësit dhe karabinierët italianë. Pavarësisht ndërhyrjes mjekësore, i riu shqiptar ka ndërruar jetë sapo ka mbërritur në spital.
Nga aksidenti kanë mbetur të plagosur lehtë edhe drejtuesja e automjetit Toyota dhe një tjetër pasagjer i Mercedesit. Autoritetet italiane kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet dhe rrethanat e plota të ngjarjes.





