Në foto janë Dr. Anton Keçi, 52 vjeç, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, si dhe vajza e tij 20-vjeçare, Bora Keçi studente në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë.

Sipas informacionit paraprak të policisë, dyshohet se automjeti ka dalë nga rruga dhe ka përfunduar në kanal, çka ka sjellë përmbysjen e tij dhe pasojat fatale.

Kanë qenë familjarët ata që, të shqetësuar për mungesën e kontaktit me familjarët, kanë nisur kërkimet për të afërmit e tyre.

Grupi hetimor vijon punën për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, ndërsa nuk përjashtohet humbja e kontrollit mbi mjetin si një nga pistat kryesore.

Ndërkohë, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka reaguar përmes një njoftimi, duke shprehur dhimbjen për humbjen e një prej punonjësve të saj.

Në reagim thuhet se Dr. Keçi kishte shërbyer për rreth 6 vite në sistemin penitenciar me përkushtim dhe profesionalizëm, duke lënë pas vlerësim të lartë nga kolegët dhe drejtuesit.

Njoftimi i plotë i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve

Me dhimbje të thellë njoftojmë se më datë 25.04.2026, në orët e mbrëmjes, në aksin rrugor Lezhë–Gjader, në vendin e quajtur Gocaj, si pasojë e një aksidenti tragjik ku automjeti ka dalë nga rruga, kanë humbur jetën Dr. Anton Keçi, 52 vjeç, Shef i Shëndetësisë në IEVP Lezhë, si dhe vajza e tij 20-vjeçare, studente në vitin e dytë në Fakultetin e Mjekësisë.

Dr. Keçi shërbeu me përkushtim për rreth 6 vite në sistemin penitenciar, duke lënë pas vlerësim profesional dhe njerëzor tek kolegët dhe të gjithë ata që e njohën.

Në këto momente të rënda, shprehim ngushëllimet më të sinqerta për familjen, kolegët dhe të afërmit. Jemi pranë bashkëshortes dhe djalit të tij, duke ndarë dhimbjen e madhe për këtë humbje të parakohshme dhe të pazëvendësueshme.

U prehshin në paqe.