ITALI- Një i burgosur shqiptar është arratisur nga burgu i Teramos gjatë natës në Itali. Chietitoday shkruan se ndihma e jashtme e një droni i ka lehtësuar arratisjen shqiptarit, i cili ndodhet në kërkim në të gjithë Abruzzo-n.

“Ndihma e një droni dyshohet për dorëzimin e mjeteve të dobishme me të cilat i burgosuri shqiptar ka kryer arratisjen gjatë natës nga burgu i Teramos. Zbulimi i arratisjes ndodhi vetëm sot në mëngjes”, raporton Gino Ciampa nga policia e burgut FP CGIL për Abruzzo.

Ngjarja ka shkaktuar reagime në Itali, ku shumë prej tyre, përfshirë dhe mediat e kanë cilësuar ngjarjen si aksion i denjë për një film amerikan.

“Për momentin janë duke u ekzaminuar regjistrimet e të gjitha kamerave të IEVP Teramo për të kuptuar dinamikën e saktë të arratisjes së kryer nga i burgosuri shqiptar, i arrestuar për krime të zakonshme, i cili u arratis nga burgu këtë natë. Nga analizat fillestare, dorëzimi i instrumenteve me dron mund të ketë qenë thelbësor,” thuhet në njoftim.