TIRANË- Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar Serbinë për ngrirje të marrëdhënieve dypalëshe me Shqipërinë nëse nuk lirohen 3 policët e Kosovës të rrëmbyer javën e kaluar. Por po ashtu, ka lëshuar edhe një mesazh për homologun e tij në Prishtinë, kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti. Në një postim të gjatë në rrjetet e tij sociale, kryeministri shqiptar kërkon lirimin e 3 policëve, duke theksuar se nuk kanë kryer asnjë krim, ndërsa Kurtit i kërkon që të qetësojë situatën në Veri të Kosovës para se të jetë tepër vonë. Sipas Ramës, sa më shumë të agravohet kjo situatë, do të jetë KFOR-it që do të marrë kontrollin e situatës në veriun e vendit.

“Sa më shumë mbahen në Serbi këta tre burra që edhe sikur ta kenë shkelur vijën e kufirit s’kanë kryer asnjë krim, aq më pak do jetë e mundur që marrëdhëniet tona bilaterale të mos bëjnë shumë hapa mbrapa! Kjo do jetë java e rikthimit të akullit mes nesh nëse ata nuk lirohen! Nga ana tjetër nëse de-eskalimi nuk ndodh e humbura e madhe do të jetë Kosova – sepse Serbia mbase nuk jeton dot pa u ri-izoluar! Druaj shumë se sa më shumë Albini këmbëngul në të tijën kundër aleatëve, aq më shumë situata mund të agravohet, duke rikthyer KFORin në krye të punës! E atëherë lamtumirë për kushedi sa kohë edhe kontrollit formal të shtetit mbi krejt territorin dhe ta gëzojmë një Republikë të KFORit në Veriun e Kosovës! Albin dil nga guacka e vetizolimit dhe mos e humb Veriun duke parë kudo armiq e tradhëtarë! Koha është tani dhe po fluturon!,”-shkruan Rama.

Ç’po ndodh në Veri?

Situata në komunat në veri të Kosovës vazhdon të jetë e tensionuar, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës në veri të vendit nga Serbia. Efektivët kanë dale para gjykatës serbe dhe janë lënë në paraburgim për 30 ditë. Përfaqësuesi i Lartë i BE-së, Josep Borrell, pas arrestimit të tre policëve të Kosovës në veri të vendit nga forcat serbe, njoftoi se do të mbahet javën e ardhshme një takim urgjent në Bruksel mes Albin Kurtit dhe Aleksandër Vuçiç, për zgjidhjen e krizës. Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e caktuar nga Borrell, ndërsa kryeministri i Kosovës është akoma i pavendosur për një diskutim me Vuçiç në Bruksel.