GREQI- Një 28-vjeçar shqiptar, i cili kishte marrë dhe nofkën ‘Dragoi i Pireut’ është vënë në pranga në Greqi pasi akuzohet se ka kryer të paktën gjashtë përdhunime. Mediat greke shkruajnë se shqiptari është arrestuar në orët e para të së dielës, pas një tentative të re për përdhunimin e një gruaje tjetër. Ai u kap në afërsi të sheshit 25 Mars në Nice, pasi sulmoi dhe tentoi të përdhunonte një të re, e cila po kthehej në shtëpi.
Kur ajo rezistoi, 28-vjeçari filloi ta godiste me grusht në fytyrë dhe trup. Një banor dëgjoi thirrjet e vajzës për ndihmë dhe njoftoi policinë. Efektivët në vendngjarje dhe identifikuan një burrë, rreth një kilometër nga vendi i sulmit, i cili përputhej me përshkrimin e vajzës.
Në fakt, sipas informacioneve, kur policia e ndaloi, konstatoi se ai kishte gërvishtje me thonj në fytyrë dhe zinxhirin e pantallonave të hapur. Oficerët e policisë e kanë çuar në Repart, e kanë fotografuar dhe më pas kanë shkuar në Spitalin e Përgjithshëm Shtetëror të Nicës, ku po trajtohej vajza, pasi burri i kishte plagosur rëndë syrin. E reja ka bërë të mundur identifikimin e shqiptarit përmes fotove, ndaj dhe autoritetet greke kanë vijuar me procedurat për 28-vjeçarin shqiptar.
Ende nuk dihet emri i shqiptarit por ai nuk është i vetmi që kohët e fundit ka marrë vëmendjen e mediave greke për sulmet seksuale. Lajmi që bëri bujë javën që lamë pas ishte arrestimi i përdhunuesit Spartak Dyrmishit, i cili kishte kryer disa përdhunime në Greqi dhe ishte arratisur drejt Shqipërisë. Dyrmishi u kap në Vlorë dhe iu dorëzua Greqisë, me pikëpyetje të mëdha përsa u përket procedurave.