SARANDË- Pronari i clubit ‘Orange’ në Sarandë është vënë në pranga ditën e sotme në Qafë Botë. Spiro Iljadhi ishte shpallur në kërkim një muaj më parë, pasi në clubin e tij, kamareri 17-vjeçar Antonio Delilaj, humbi jetën, pasi e zuri poshtë ashensori. Ashensori në këtë club ishte jashtë çdo parametri ligjor dhe për shkak të një defekti u shkëput, duke lënë të vrarë në vend të miturin që punonte.
Njoftimi i Policisë:
Qafë Botë, Sarandë/Kapet dhe vihet në pranga pronari i lokalit ku një muaj më parë, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal. Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Botë, si rezultat i kontrolleve të shtuara për goditjen e krimeve kufitare dhe kapjen e shtetasve në kërkim, kanë kapur dhe ndaluar shtetasin në kërkim S. I., 37 vjeç, banues në Sarandë. Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë ka caktuar ndaj këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, pasi më datë 26.08.2023, në lokalin në pronësi të tij, për shkak të këputjes së kavos së ashensorit, humbi jetën një 17-vjeçar i punësuar në këtë lokal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “Nr. 1″, të Sarandës, në lokalin “Orange Club” ku është këputur kavoja e ashensorit që përdorej kryesisht për furnizimin e lokalit, duke zënë poshtë kamerierin 17 vjeç Antonio Delilaj, nga fshati Qafë Gjashtë. Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut, deklaroi se pajisja e përshtatur për transport mallrash nga subjekti, e cila ka pësuar defekt, nuk është ashensor dhe për rrjedhojë nuk është inspektuar.