TIRANË- Redjan Rraja është dënuar me burgim të përjetshëm për rolin e tij si ekzekutor në atentatin ndaj ish-prokurorit Ardjan Ndoj më 1 nëntor të 2019. Vendimi u dha sot nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. GJKKO e pranoi pretencën e SPAK, të arsyetuar seancën e shkuar nga prokurori Adnan Xholi. Po ashtu, kërkesa u pranua edhe për 35 vite dënim për Arjol Halilin.

Redjan Rraja, u arrestua si një nga autorët e dyshuar të atentatit ndaj prokurorit Arjan Ndoji, shoferit të tij, Andi Maloku, dhe Aleksandër Lahos alias Pëllumb Muharremit , i njohur edhe si “Rrumi” i Shijakut. Ndaj tij rëndojnë akuzat për veprat penale “vrasje e funksionarëve publikë”, “vrasje e mbetur në tentativë” dhe “armëmbajtje pa leje”. Ai u arrestua në Shkodër, në pikën kufitare të Hanit të Hotit, në tentativë për t’u larguar drejt Malit të Zi, pasi u zbulua nga gjurmët e gishtërinjve, në mjetin e gjetur nga policia pas atentatit.

Si ndodhi atentati ndaj prokurorit?

Arjan Ndoja, bashkë me Landi Muharremin (Aleksandër Laho), dhe Andi Maloku ishin duke drekuar në zonën e plazhit në Durrës. Të tre, u nisën drejt Tiranës pas drekës dhe në zonën e mbikalimit të Shkozetit, u qëlluan nga një makinë Benz, në ecje, ku dyshohet se ka qenë brenda Redjan Rraja. Për pasojë u plagosën të tre, por në gjendje më të rëndë ishte Andi Maloku, i cili u bë mbrojtja e prokurorit Ndoja në atentat. Për shkak të plagëve të shumta, ai ndërroi jetë në spitalin e Traumës në Tiranë.