Bordi i Transparencës ka ndryshuar ditën e sotme çmimet e karburanteve në vend.

Sipas vendimit të publikuar, nafta do të shitet me 192 lekë për litër, nga 197 lekë që ishte më parë. Ndërsa çmiim i bensinës është ulur me vetëm 2 lekë, dhe do të shitet me 187 lekë për litër. Vetëm çmimi i gazit është rritur në 71 lekë për litër, nga 69 lekë që ishte më parë.

Çmimet e reja të vendosura nga Bordi i Transparencës do të hyjnë në fuqi sot pasdite pas orës 18:00.

Njoftimi i Bordit:

Vendimet e Bordit të Transparencës në datë 3 Shkurt 2023 kanë ndryshime të çmimit nga ai i përcaktuar në mbledhjen e fundit.

Referuar të dhënave lidhur me bursën Platts të datës 02.02.2023, kemi ndryshime të çmimit nga ai përcaktuar në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është 846, -12 nga data 01.02.2023, $/ Ton, ndërsa çmimi i Gazoilit/Diesel është 826, -35 nga data 01.02.2023, $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pësuar ulje të lehtë në 106.29 (-1.07 nga data 01.02.2023).

Si rrjedhojë çmimet e vendosura janë :

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 192 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 180 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 187 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 175 lekë/litër.

Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 71 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 59 lekë/litër për automjetet.

Çmimi i gazoilit për peshkim është vendosur 98 lekë/litër.

Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi në datë 3 Shkurt, ora 18.00, dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.

Bordi i transparencës që në krijimin e tij i është përmbajtur me përpikmëri në vendimet e tij lëvizjes së bursës Platts të Mesdheut për gazoilin, benzinën, si dhe faturave zyrtare të operatorëve.

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ndjen detyrimin të sqarojë opinionin publik se jo çdo lëvizje e bursës së naftës bruto reflektohet në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën masë në bursën e gazoilit dhe benzinës.