FUSHË KRUJË- Brilant Martinaj ishte karbonizuar i gjithi nga flakët që përfshinë makinën ku ai u vra. Kështu që për grupin hetimor që shkoi për të identifikuar viktimat e masakrës së Fushë Krujës në ndihmë i kanë ardhur sendet personale. Sipas të dhënave nga dosja hetimore e publikuar në emisionin “Në Shënjestër”, mësohet se Brilant Martinaj u identifikua vetëm nga atletet e markës ‘Valentino’ dhe nga ora Rolex që mbante veshur.

Si ndodhi ngjarja makabre?

Mesditën e të dielës, më 17 korrik, në rrugën kryesore që lidh Fushë-Krujën me Tiranën, një pritë iu bë makinës ku po udhëtonin tre të rinj, Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona kanë ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Njëri prej tyre, Dikler Vata zbriti nga mjeti i plagosur duke tentuar të shpëtonte por autorët u kthyen dhe e qëlluan përsëri duke u siguruar që e vranë. Shënjestra e atentatit sipas burimeve nga grupi hetimor është Brilant Martinaj, kushëri i parë me biznesmenin e përfshirë në disa ngjarje kriminale, Ervis Martinaj.