Etleva Çullhaj është 34-vjeçarja që humbi jetën një ditë më parë, vetëm pak orë pasi kishte abortuar një fëmijë në maternitetin e Elbasanit. E reja ishte nënë e 2 fëmijëve dhe po priste të tretin.

Pretendimet e spitalit janë që pacientja ka ardhur me shtatzani të dëmtuar, pasi fëmija ka qenë i pajetë në barkun e saj, e ndaj kanë vendosur edhe që të kryehej procedura e abortit. Po ashtu, sipas mjekëve, pacientes i është kërkuar të qëndrojë në spital pas ndërhyrjes, por ajo ka kërkuar të largohet dhe është larguar.

Disa orë më pas ka pasur përkeqësim të shëndetit duke pësuar komplikacionet që i morën jetën. Pas ngjarjes, spitali nuk ka dalë end eme një prononcim zyrtar, me pretendimin se presin përcaktimin e shkakut të vdekjes nga ekspertiza mjekoligjore. Ndërkohë që dy mjekët e spitalit të Elbasanit, Arben Paralloi dhe Behar Gjevori janë vënë nën hetim lidhur me këtë rast.

NJOFTIMI I POLICISË:

Më datë 30.01.2023, rreth orës 12:00, një shtetase 34 vjeçe është paraqitur në ambientet e Maternitetit të Elbasanit, ka kryer një procedurë aborti dhe më pas është larguar në banesë. Rreth orës 18:00 të së njëjtës ditë, dyshohet se për shkak të komplikimeve të gjendjes shëndetësore, kjo shtetase ka njoftuar shërbimet e ambulancës, të cilat e kanë transportuar atë në Maternitetin e Elbasanit, ku kjo shtetase ka humbur jetën. Për këtë rast, oficerët e Policisë Gjyqësore të Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan kanë iniciuar procedimin penal për shtetasit A. P., 56 vjeç dhe B. Gj., 60 vjeç, mjekë në Maternitetin e Elbasanit, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Vijon puna nën drejtimin e Prokurorisë, për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti.