DURRËS- Janë zbardhur detaje të reja nga hetimet për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Durrës, ku 41-vjeçarja Bedrie Loka ka kryer vetëvrasje pas denigrimit në “Tik Tok”.

Burime nga grupi hetimor kanë zbuluar për News24 se se përveç pistës së bullizimit në rrjetin social Tik-Tok, po hetohen edhe pista të tjera bazuar në indicie dhe dëshmi të deritanishme të marra nga policia e Durrësit lidhur me ngjarjen.

Policia ka marrë edhe dëshminë e vajzës dhe dëshmitë e vëllezërve të së ndjerës të cilët kanë dhënë pista të tjera që nuk lidhen vetëm me denoncimin për bullizimin në rrjetet sociale të cilat viktima i kishte denoncuar 13 muaj më parë, por edhe me marrëdhëniet familjare.

Grupi hetimor ka këqyrur edhe telefonin e të ndjerës, por nga këqyrja paraprake deri tani nuk ka rezultuar ndonjë prove implikuese që të përfshijë personat me të cilët ka komunikuar sidomos para aktit ekstrem.

Telefoni pritet t’i nënshtrohet një ekspertize më të thelluar dhe nga policia po merren dëshmi të tjera të personave që mund të kenë dijeni direkte dhe indirekte lidhur me ngjarjen.