Mësuesi i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Dritëro Agolli” në Bilisht, është vënë nën hetim pasi dyshohet se dhunonte fëmijët.

Komisioni i disiplinës dhe etikës së shkollës ka nisur hetimin ndaj Alban Fetollit, pasi prindërit e disa nxënësve të klasës së tetë janë ankuar pranë drejtorisë së shkollës për dhunën e ushtruar ndaj fëmijëve nga mësuesi. Njëri prej fëmijëve të dhunuar pohoi për mediat se disa ditë më parë gjatë orës së mësimit, mësuesi i ka goditur me bidon me ujë. Sipas tij, janë dhunuar 4 nxënës mes tyre dhe një vajzë.

Në komunikim telefonik me drejtoren e DAR, Vinjola Rota, sqarohet se ngjarja po vlerësohet si nga komisioni i etikës së shkollë, po ashtu edhe nga drejtoria rajonale arsimore.

“Menjëherë pas ngjarjes është ngritur një komision etike dhe një pyetesor psiko-social. Në këto momente që po merren masa, mësuesi nuk jep mësim, pasi është në komision etike. Deri në momentin që do të dalë vendimi i komisionit etik, nuk mund të merren masa të tjera siç mund të jetë pezullimi”./ TCH