Benzema është shpallur fajtor nga drejtësia franceze. Ai ka rezultuar bashkëpunëtor në krimin e shantazhit të ish-bashkëlojtarit të vet në kombëtare, Mathieu Valbuena. Çështja në fjalë njihet gjerësisht si “sextape”.

Sulmuesi i Real Madridit është dënuar me një vit burg me kusht, të cilin do t’i duhet ta vuajë në rast të përsëritjes së veprës penale, dhe 75 mijë euro gjobë. Me këtë vendim të Gjykatës së Versajës, Karim Benzema më në fund kthen faqen në një çështje që filloi më shumë se pesë vite më parë.

Gjatë seancave gjyqësore, sulmuesi është përpjekur përmes avokatëve të tij të mbrojë pafajësinë, teksa akuzat i kushtuan qëndrimin jashtë kombëtares franceze derisa trajneri Deschamps vendosi në fund të sezonit të kaluar ta thërriste sërish për në “Euro 2020”.

Noël Le Graët, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, paralajmëroi tashmë tri javë më parë se vendimi i gjyqtarit nuk do të ndikonte në karrierën e tij sportive me Francën, kështu që Karim do të luajë Botërorin e tij të dytë në Katar.

Bomberi transalpin ka tashmë 9 gola në 11 ndeshjet zyrtare, që nga rikthimi i tij te “gjelat”. Përpjekja për ta shantazhuar ish-shokun e tij të kombëtares, Mathieu Valbuena, u vërtetua nga prokuroria, e cila kërkoi dënimin me 10 muaj burg dhe gjobë prej 75.000 euro.

Pala mbrojtëse e sulmuesit këmbënguli në tezën se veprimi i Benzema ishte ekskluzivisht për ta ndihmuar Valbuenën, pa ndonjë qëllim të keq, por dëshmia e viktimës në Versajë, gjatë seancës së mbajtur tri javë më parë, tregoi të kundërtën.

Prokuroria kërkoi dënimin më të ulët të mundshëm me burg ndaj yllit të Real Madridit, por dënimin më të rëndë ekonomik, me argumentin se sulmuesi duhet të ketë një qëndrim shembullor për shkak se imazhi i tij ndikon në shoqëri. Benzema është i vetmi që nuk u akuzua për shantazh dhe mbi të cilin rëndonte vetëm akuza e bashkëpunimit.