Familjarët e dy pronarëve të servisit të automjeteve në Shkodër, ku dyshohet se u mbajt me forcë një 16-vjeçar afgan, ka hedhur poshtë akuzat.

Të akuzuar se mbanin me forcë të miturin për ta shfrytëzuar për punë, janë Alehandro Pashuku, i cili është arrestuar, dhe Kristjan Pashuku, i shpallur në kërkim.

Por, vëllai i tyre Lazër Pashuku dhe i ati Aleksandër Pashuku janë shprehur se të miturin afgan e kanë mbajtur si një njeri të familjes së tyre, pasi e kanë ushqyer, i kanë dhënë ilaçe, si edhe strehuan në banesën e tyre.

Pronarët e servisit ku u gjet afgani tregojnë se 16-vjeçari ka qenë tërësisht i lirë dhe ka lëvizur në gjithë qytetin i vetëm ose me punonjësit e tjerë, sipas dëshirës së tij.

Ata treguan e takuan rastësisht të miturin në një lokal pranë zonës së tyre dhe e kanë marrë për ta ndihmuar duke qenë se ishte i uritur dhe i pastrehë.

Pronarët thonë se shtetasi afgan i ka thënë se është 19 vjeç dhe jo 16, si edhe ka komunikuar lirisht çdo natë me familjen e tij.

Po ashtu Lazër Pashuku shprehet se të gjithë këtë afgani e ka bërë me qëllimin për të kërkuar azil dhe për t’u larguar tek familja e tij në Greqi.

Pronari tregon se ka dashur ta ndihmojë që të largohet drejt Greqisë duke i dhënë para dhe ushqime për rrugën, por sipas tij afgani i ka kërkuar që të qëndrojë edhe dy muaj të tjerë për të punuar.

Po ashtu babai i vëllezërve Pashuku, Aleksandër Pashuku shprehet se i ka hapur dyert e shtëpisë së tij duke fjetur aty dhe duke e trajtuar njësoj si djemtë e tij.

Familja Pashuku kërkon drejtësi për të arrestuarin Alehandro Pashuku dhe të shpallurin në kërkim Kristjan Pashuku duke thënë se nuk është e vërtetë se e ka trafikuar dhe se nuk ka patur asnjë lloj presioni, përkundrazi e kanë ndihmuar.