TIRANË- Më 6 tetor të vitit që lamë pas, Prokuroria e Kurbinit ka regjistruar një kallëzim penal për Ervis Martinajn. Në një dokument zyrtar të siguruar nga “Abc”, është e shkruar kallëzimi penal për Martinajn nga një person, identitieti i të cilit nuk është bërë me dije. “X” e akuzon Martinajn për kryerjen e dy veprave penale ndaj tij, “plagosje të rëndë” dhe dhunë. Sipas një dokumenti të Policisë së Shtetit, ai ishte konfliktuar më herët me një person në Laç duke e rrahur, e ky i fundit ka shkuar dhe e ka denoncuar në Polici, duke ngritur dhe një çështje penale për të.
Por nuk dihet se si ka shkuar çështja, pasi lidhur me këtë ngjarje, nuk ka pasur asnjë raportim nga Policia e Kurbinit, madje nuk duhet nëse Martinaj ka dhënë ndonjëherë shpjegime lidhur me këtë akuzë të ngritur ndaj tij.
NJOFTIMI I PLOTË
Në vijim të informacionit me nr. Unik 202109304120, që bën fjalë për veprat penale “Kanosja” dhe “Dëmtime të tjera me dashje”, me datë 02.10.2021, u referuan materiale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për shtetasin në kërkim Ervis Mustafa Martinaj, i datëlindjes 06.10.1982, banues në Fushë Kuqe, Kurbin, me arsim 12 klasë. Nenet 84 e 90 të Kodit Penal.
Neni 84
Kanosja
Kanosja serioze për vrasje ose për plagosje të rëndë që i bëhet një personi, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në një vit.
Neni 90
Dëmtime të tjera me dashje
Rrahja, si dhe çdo vepër tjetër dhune, përbën kundërvajtje penale dhe dënohen me gjobë. Po kjo vepër, kur ka shkaktuar paaftësi të përkohshme në punë deri në 9 ditë, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim gjer në gjashtë muaj
Ervis Martinaj ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 9 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi dhe inskenim. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ai paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka një përgjigje, por shumë shpejt do dalë me prova. Deri më tani, sipas publikimeve të dokumenteve në media, Prokuroria ka dalë në përfundimin se i shumëkërkuari Ervis Martinaj është ‘shitur’ nga një vajzë dhe më pas është ekzekutuar. Zyrtarisht nuk ka ende asnjë version.