Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Kosovë, ku një grua shtatzënë ka ndërruar jetë nga Covid-19. 29-vjeçarja ishte 6-javëshe shtatzënë dhe ka ndërruar jetë ditën e hënë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, si pasojë e infektimit me COVID-19.

Lajmin tragjik e ka bërë me dije doktoresha e mjekimit intensiv, Agreta Gecaj-Gashi.

Ajo është shprehur se gruaja nuk ishte e vaksinuar dhe se nuk ka mundur tja dalë të fitojë betejën me virusin vdekjeprurës.

“Pardje ka vdekur, nuk ka qenë e vaksinuar. Viktima ka qenë e lindur në vitin 1991”, ka deklaruar Gecaj Gashi.

Ndërkaq drejtori i Klinikës së Gjinekologjisë, Jakup Ismajli, tha se viktima ka qenë në javët e para të shtatzënisë.

“Pacientja ka ardhur nga Gjilani, ka qëndruar një kohë të shkurtë në Gjinekologji, pastaj në konsultim me mjekët tjerë është transferuar në mjekim intensive qendror. Ka qenë shtatzëni e hershme, në javën e 6-të”, ka deklaruar Ismajli.