ELBASAN – Egnatia është fituesja e Kupës së Shqipërisë për sezonin 2022-2023! Braziliani Jackson, në minutën e 114-të finales së luajtur në “Elbasan Arena”, shënon golin e vetëm të ndeshjes nga pika e penalltisë dhe shkruan emrin e skuadrës rrogozhinase në historinë e futbollit shqiptar.
Tirana i bëri një mbyllje zhgënjyese sezonit. Pasi në fundjavë humbi garën për titullin kampion, si pasojë e dënimeve nga Disiplina dhe dëmtimeve të disa titullarëve, bardheblutë dështuan edhe në finalen e Kupës, duke humbur me rezultatin minimal 1-0 përballë Egnatias të etur për sukses.
Tirana ishte më kërkuese në fillim të lojës, por nuk e shfrytëzoi si duhet rastin më të mirë që iu paraqit në minutën e 13-të, me Hilën që “ledhatoi” pjesën e jashtme të shtyllës.
Bardheblutë mbetën me një lojtar më pak pa u mbushur 25 minuta lojë. Berisha ndërhyn rëndë ndaj Jacksonit dhe për Enea Jorgjin nuk ka dyshime, karton i kuq për lojtarin e Tiranës.
Pretendojnë për penallti lojtarët e Tiranës rreth 15 minuta pas nisjes së pjesës së dytë, pas prekjes së topit me dorë nga Zejnullai. Jorgji pret konfirmimin nga sistemi VAR dhe vijon lojën.
Shtylla shpëton bardheblutë në minutën e 61-të. Jackson depërton nga e majta, kalon dhe Likën, por topi ndalet nga shtylla. Egnatia shënoi në minutën e 78-të me Dwamenan, por goli anulohet nga VAR për pozicion jashtë loje të Kasës.
Koha e rregullt mbyllet 0-0, për të shkuar te shtesat, ku e para gjithashtu nuk solli ndonjë ndryshim. Duhet të vinte minuta e 114-të, ku Jackson të shënonte nga pika e penalltisë golin e vetëm që do t’i jepte Egnatias për herë të parë në histori Kupën e Shqipërisë.