Policia e Durrësit ka vënë në pranga dy autorët e vrasjes së 32-vjeçares, Luljeta Preza, ditën e djeshme poshtë urës së “Dajlanit” në qytetin e Durrësit.
Të arrestuarit janë Aldo Ibrahimi dhe Ylli Grabovari. Dy shtetasit fillimisht u shoqëruan në komisariat së bashku me 15 persona të tjerë, të cilët më pas u lanë të gjithë të lirë duke i vënë përgjues.
Dy autorët pasi u lanë të lirë, në bisedat mes tyre mësohet të kenë thënë “ej shpëtuam për mrekulli”. Ka qenë kjo bisedë që i ka çuar më pas në pranga, ku edhe kanë pranuar krimin.
Bëhet me dije se autorët kanë deklaruar më pas në polici se ishin konfliktuar me 32 vjeçaren pasi ajo kishte refuzuar që tu jepte të gjithë paratë që mund të kishte bërë nga aktiviteti i saj seksual, pasi një pjesë i kishte shpenzuar në spital pasi e kishte përplasur një makinë.
“Prej muajsh ne njihemi me njëri tjetrin, konflikti ka nisur pasi nuk na ka dhënë paratë që kishte mbledhur që ti bënin bashkë me ato që mblidhnin ne duke lypur në rrugë”, kanë thënë ata.
Gjithashtu mësohet se 32 vjeçarje prej kohësh nuk ka pasur kontakte me familjarët e saj pasi jetonte me dy të arrestuarit dhe me tre mikeshat të cilat janë vënë nën hetim.





