Aksione të RENEA-s janë ushtruar gjatë natës në Durrës, Lezhë dhe Shkodër për të bërë të mundur kapjen e autorëve që ekzekutuan Bledar Muçën në lokalin e tyre, në mes të turmës me njerëz.

Operacioni është në vijim dhe në shenjestër janë personat me rekorde kriminale që kanë kryer vepra kundër jetës dhe pronës. Burime bëjnë me dije se Forcat Speciale RENEA po ushtrojnë kontrolle të befasishme dhe të njëhershme në Durrës, Lezhë, Shkodër etj.

Kontrollet do të vijojnë edhe në qytete të tjera ndërsa ka edhe të shoqëruar, mes të cilëve të dyshuar si të përfshirë në vrasje dhe atentate.

Dhjetra persona janë shoqëruar për verifikim në Shkodër, Lezhë e Durrës ndërsa operacioni është në vijim edhe në qytete të tjera, përfshirë Lushnjen ku një natë më parë ndodhi edhe një ngjarje kriminale me vrasjen e një personi e plagosjen e 5 të tjerëve.

Kjo nuk është hera e parë që RENEA dhe struktura të tjera të Policisë së Shtetit ushtrojnë kontrolle të tilla, ndërsa shpesh ndodh që të realizohen pikërisht kur në vend regjistrohem ngjarje të bujshme

Një ditë më parë biznesmeni Bledar Muca u ekzekutua teksa rrinte i ulur në tavolinën e lokalit të tij, i ndodhur në pedonalen kryesore të qytetit të Lushnjes, në një kohë kur kishte shumë lëvizje.

Së bashku me të në tavolinë ishte dhe kunati i tij Judin Velo, dhe një nga dyshimet është se ky i fundit mund të ketë qenë objektivi i të shtënave me armë. Judin Velo është nipi Roland Shytit, personazh i dosjes “Hakmarrja për Drejtësi” i njohur me nofkën “Mustaqekuqi”.

Autorët lëviznin me një mjet tip golf kur kanë hapur zjarr me Kallshnikov nga dritarja e mjetit dhe janë larguar me shpejtësi drejt fshatit Thanasaj, ku dhe kanë djegur mjetin.

Nga kjo ngjarje e rëndë u plagosën edhe 5 persona të tjerë. Kunati Judin Velo, në gjendje më të rëndë, Ervis Tafa; Sara Liçi, 24 vjeçe; Majlinda Gjyla, 66 vjeçe dhe Eksara Sauli, 26 vjeçe, të cilët kanë qenë ose kalimtarë ose klientë në lokalin e të ndjerit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here