“Kushtet në një qendër të mbipopulluar emigrantësh në Kent ishin të ngjashme me të jetuarit në një burg apo kopsht zoologjik”,-ka thënë një emigrant për BBC.
Ahmed (emri i tij fiktiv) tha se emigrantët në qendrën e azilit në Manston trajtoheshin si “kafshë” ku 130 persona ishin të deytruar të ndanin një tendë të madhe.
Më shumë se 4,000 emigrantë thuhet se janë mbajtur në kampin që do të presë 1,600 të tjerë ditët e fundit. Por Ministri i Emigracionit Robert Jenrick ka këmbëngulur se shifrat po bien.
Ahmedi i cili u largua nga qendra të hënën pas 24 ditësh atje tha se ishte i detyruar të flinte në dysheme dhe e ndalonin të shkonte në tualet, të bënte dush ose të dilte jashtë për stërvitje.
Ai tha për BBC se u largua nga vendi i tij i lindjes, Irani, në kërkim të lirisë, e për të shmangur persekutimin, pasi kishte jetuar me frikë gjithë jetën.
Por pasi mbërriti në MB, Ahmed tha se njerëzit u penguan të telefononin familjet e tyre për t’i bërë të ditur se kishin kaluar në mënyrë të sigurtë për në MB. “Për 24 ditë që isha atje, nuk munda t’i telefonoj familjes sime për t’u thënë atyre se jam gjallë, ata nuk dinin asgjë për mua,” tha ai.
Manston, një ish-bazë ushtarake në Kent, u hap si një qendër azilantësh në shkurt për numrin në rritje të emigrantëve që arrijnë në Mbretërinë e Bashkuar me gomone. Emigrantët mbahen atje për periudha të shkurtra kohore, teksa i nënshtrohen kontrolleve të sigurisë dhe identitetit.
Ata më pas supozohet të zhvendosen në sistemin e akomodimit të azilit të Home Office, që shpesh nënkupton “një hotel” për shkak të mungesës së akomodimit në dispozicion.
Por Manston u bë edhe më i populluar në fundjavë kur 700 emigrantë u dërguan atje nga një qendër tjetër në Dover, e cila u përfshi në flakë.