Dashnor Kaloçi/ Publikohet historia e panjohur dhe e rrallë e Avdul Hakan Banushit me origjinë nga fshati Golem i Gjirokastrës, i cili gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), ndryshe nga e gjithë familja e tij që u rreshtuan në radhët e forcave partizane, ai u angazhua në radhët e organizatës nacionaliste të rinisë së “Ballit Kombëtar” në qytetin e Durrësit, ku u arrestua nga forcat gjermane, në tetorin e vitit 1943 dhe së bashku me 73 persona të tjerë, u dërguan fillimisht në Kampin gjerman të Prishtinës, e më pas në kampet e shfarosjes në masë në Landsberger e Daku, nga ku ai mundi të lirohej vetëm në vitin 1945, pas ndërhyrjes së forcave anglo-amerikane.

Kthimi i Banushit në Shqipëri në vitin 1945, pasi qëndroi disa kohë në kampin e Rexhio-Emilias në Itali, (ku asokohe ishin edhe disa nga krerët kryesorë të Ballit dhe Legalitetit me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin) dhe arrestimi i tij, pak ditë pas mbërritjes në atdhe, pasi në aerodromin e Laprakës, rojet partizane i gjetën një letër që i’a kishte dhënë ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, gjatë kohës që ishin në Rexhio-Emilia.

Dënimi i Banushit me 18 vite burg, duke u akuzuar si “agjent i anglo-amerikanëve” dhe lirimi i tij në vitin 1961, ku ai nuk qëndroi shumë kohë pranë familjes, në fshatin Golem, pasi u arrestua përsëri teksa ishte i internuar në qytetin e Fierit, nga ku ai mundi që të arratisej nga burgu, që natën e parë dhe iku në drejtim të Gjirokastrës, ku kaloi kufirin shtetëror dhe kaloi në Greqi, ku pas pak kohësh fitoi azilin politik për në SHBA.

Angazhimi i Banushit në rradhët e mërgatës politike shqiptare në Perëndim, si anëtar i “Komitetit Shqipëria e Lirë”, ku në vitin 1973, pasi ishte sëtrvitur nga CIA, erdhi disa herë me misione sekrete në Shqipëri, me qëllim që t’i bënin atentat Enver Hoxhës, në paradën e madhe të 29 nëntorit 1974, me rastin e 30 vjetorit të çlirimit dhe arrestimi i tij në vitin 1975, në afërsi të kufirit të Hanit të Hotit, pas një gracke që i kishte ngritur vetë ministri i Punëve të Brendshme, Kadri Hazbiu, nga ku më pas ai do të izolohej për dy vite në qelitë e ‘Repartit 313’, në Burgun e Tiranës dhe më pas në Burrel, nga ku mundi të lirohej vetëm në fillimin e vitit 1991.

“Kur nisën kontradiktat e para të Shqipërisë me Republikën Popullore të Kinës në vitin 1972-’73 , na i shtoi akoma dhe më shumë besimin se kishte ardhur koha të organizoheshim me masa konkrete për një zbarkim të mundshëm në Shqipëri.

Pas bisedimeve që kishin bërë më parë krerët e Komitetit “Shqipëria e Lirë” me zotin Zhozef Shishko, zv/ sekretar i Departamentit të Shtetit dhe Majorin Tomas Smith që mbulonte emigracionin politik shqiptar në SHBA-ve, në janarin e vitit 1974, Kryesia e Organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”, vendosi të dërgonte në Shqipëri grupin e pare, i cili do të përbëhej prej pesë vetash.

Ndër detyrat kryesore që do të kryente ai grup, ishin: ‘Takimet me njerëzit e pa kënaqur nga regjimi komunist, minimi i monumentit të Stalinit dhe Leninit në qendër të Tiranës, hedhja në erë e selisë së Komitetit Qendror të PPSH-së, shpërndarja e materialeve propagandistike me frymë antikomuniste që ishin përgatitur më parë që në New York etj.

U vendos që grupin e parë do ta kryesoja unë, me që kisha njohje me kontigjentin e familjeve të përndjekura nga regjimi komunist, ku do të mbështeteshim ne fillimisht.

Në këtë grup përveç meje bënin pjesë dhe I. Rrushiti, N. Banushi, I. Lame dhe A. Sula. Mbas disa përgatitjesh intensive që bëmë në një bazë sekrete, më në fund u nisëm me avionin që do të përshkonte intenerarin: New York – Londër,- Amsterdam – Romë – Athinë.

Kur mbërritëm në kryeqytetin grek, u strehuam në Hotel “Atllantik” dhe të nesërmen shkuam në bazën ushtarake të Prevezës, ku koloneli që na priste na furnizoi me armatime që përbëheshin nga pesë automatikë, pesë pistoleta, 20 granata, 6 kg. dinamit, kapsula dhe mjetet mekanike për shpërthimin e tyre, mjetet dhe veshjet e notit, një radio- marrëse e dhënëse, si dhe shumë municione e pajisje të tjera.

Pasi i sistemuam këto në një vend të sigurtë, bisedova me kolonelin për rrugët e mundshme që duhej të ndiqnim për të hyrë në Shqipëri dhe në orën shtatë të mbrëmjes u nisëm me një motoskaf të vogël që drejtohej nga tre marinarë dhe pas disa orësh mbërritëm në bregdetin e Ksamilit”.

Kështu e kujtonte fillimin e “aventurës shqiptare”, Avdul Hakan Banushi, me origjinë nga Golem i Gjirokastrës, i cili rrëfente për herë të parë disa nga ngjarjet më të bujshme të jetës së tij, të ndodhura në vitin 1974 – ‘75, kur ai në krye të një grupi komando të nisur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, hyri disa herë me misione të fshehta në Shqipëri.

Kush Avdul Banushi dhe cila është e kaluara e tij? Përse u internua ai në kampin nazist të Dakaos në Gjermani dhe si mundi që të lirohej prej andej? Si u kthye ai në Shqipëri në tetorin e vitit 1945 dhe përse u dënua me 18 vite burg, duke u akuzuar si agjent i anglo–amerikanëve?

Si mundi ai që të arratisej nga Dega e Punëve të Brendshme e Fierit në ditët e para të gushtit të vitit 1961 dhe si e kaloi kufirin për në Greqi?

Çfarë i kërkuan atij në Athinë dhe si mundi ai që ta fitonte azilin politik për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Kush ishin krerët antikomunistë shqiptarë që organizuan “Fronin e Rezistencës” dhe përse dështoi “aventura shqiptare” e Abdyl Banushit dhe atentati ndaj Enver Hoxhës në paradën e madhe të 30 vjetorit të çlirimit në 29 nëntorin e vitit 1974?

Cili ishte njeriu që e shoqëroi dhe e tradhtoi Abdyll Banushin në misionin e tij të fundit në Shqipëri, gjë e cila bëri që ai të binte i gjallë në duart e forcave shqiptare të kufirit në afërsi të Hanit të Hotit, pas së cilës ai do të izolohej në burgun e tmerrshëm të Burrelit, deri në shembjen e regjimit komunist në 1991-in?

Lidhur me këto dhe mjaft ngjarje e fakte të tjera, na njeh intervista ekskluzive që na ka dhënë z. Banushi, disa vjet më parë, e cila do jetë në gjashtë numra radhazi, duke filluar nga sot.

Zoti Banushi, çfarë ndodhi me ju pas lirimit nga burgu i parë?

Pasi kisha vuajtur dënimin duke kryer 15 vite burg në kampet e Vloçishtit, Kënetës së Maliqit dhe në burgun e Burrelit, u lirova prej andej më datën 10 shkurt të vitit 1961 dhe shkova pranë familjes sime në fshatin Golem të Gjirokastrës, ku erdhën disa policë nga Dega e Punëve të Brendshme e Gjirokastrës, të cilët më thanë se duhej të shkoja me ta, pasi më ishte dhënë masa e internimit, me motivacionin: “I pa reabilitueshëm”. Sipas urdhrit të dhënë, ata më morën dhe më çuan në qytetin e Fierit, ku unë shoqërohesha vetëm me Sejfulla Malëshovën. Pas pak ditësh, më 8 gusht të po atij viti, ndërsa isha duke shëtitur me Sejfullanë, më arrestuan përsëri dhe më izoluan në një nga qelitë e Degës së Brendshme të Fierit, pa ma komunikuar se për çfarë më kishin arrestuar. Po atë natë kur akoma nuk më kishin marrë në pyetje, unë munda që të sharroja hekurat e frëngjisë me anë të një sharre të vogël që nuk ma gjetën dot në xhep gjatë kontrollit që më bëri polici i shërbimit. Pasi zbrita nga dritarja, dola nga porta kryesore e Degës, gjoja si punëtor i saj, duke i uruar policit natën e mirë. Pas arratisjes time dhe pasi mora disa dokumenta e 16.000 lekë (të vjetra) që kisha kursyer, u nisa me një makinë në drejtim të Beratit dhe prej aty me një kamion tjetër për në Gjirokastër. Po atë natë kalova Malin e Buretos dhe u arratisa për në Greqi.

Si munde ta kaloje kufirin dhe ku shkuat pasi kaluat në tokën greke?

Për të shkuar drejt kufirit shtetëror me Greqinë, kalova nëpër male dhe me shumë mundime dola në tokën greke, pa u kuptuar nga ushtarët tanë, të cilët më kaluan fare pranë me gjithë qenin e kufirit. Aty shkova në drejtim të një kishe, ku pak më vonë më erdhën dhe më morën disa ushtarë grekë, të cilët siç duket u njoftuan nga priftërinjtë që shërbenin aty. Me një makinë të mbyllur ushtarake, më dërguan Janinë, ku për katër muaj i’u nënshtrova procedurave hetimore. Me datën 12 dhjetor 1961 nga Janina më çan në Athinë, pasi sipas rregullit, të gjithë emigrantët antikomunist, duhej të merreshin në pyetje nga zyrat e CIA-s dhe KIP-t grek.

Për çfarë ju pyetën në këto zyra?

Përveç formaliteteve të zakonshme, ata më pyetën për bindjet politike që kisha, mbi të burgosurit e Burrelit ku kisha vuajtur dënimin, Ministrinë e Drejtësisë, për Enver Hoxhën, si dhe për Tomorr Xhafer Ypin, që kishte qenë atashe tregtar i Shqipërisë gjatë luftës në Greqi, për të cilin flisnin me mjaft simpati se kishte ndihmuar popullin grek me ushqime.

Çfarë ju thanë për Enver Hoxhën?

Oficeri amerikan më tha se: Enver Hoxha ishte një mosmirënjohës ndaj amerikanëve, për arsye se u kishte kthyer shpinën, në një kohë që ata e kishin ndihmuar gjatë Luftës.

Zoti Avdul, si munde të largoheshe nga Greqia për në SHBA?

Në 10 dhjetor të vitit 1961, nga Athina ku më bënë procedurat hetimore, më çuan në kampin e Llavros-it ku ndodheshin shumë emigrant politikë nga vende të ndryshme të Evropës Lindore. Atje ishte një komision i posaçëm që merrej me kordinimin e tyre dhe nëpërmjet atij komisioni, unë fitova të drejtën për të shkuar në SHBA-ve si azilant politik. Pas kësaj më 11 dhjetor 1961, u nisëm me një anije nga Porti i Patras dhe më 31 maj 1962 mbërritëm në New York.

Me çfarë u morët fillimisht në SHBA-ve?

Nëpërmjet disa miqve të mi shqiptarë që i kisha telefonuar më parë nga Greqia, u sistemova në punë si kamarier dhe më pas me ndihmën e Profesor Stavro Skëndit, përfundova shkollën në “Robert Kolexh”.

A u angazhuat në partitë politike të mërgatës antikomuniste që vepronte në SHBA?

Që kur shkova në SHBA-ve, pashë se mërgata antikomuniste shqiptare ishte shumë e përçarë dhe kishte tre parti të ‘Ballit Kombëtar’, tre të ‘Legalitetit’ dhe një të ‘Bllokut Indipendent’. Ndonëse pata shumë oferta nga krerët e tyre për të aderuar në ato parti, si fillim unë qëndrova disi i mënjanuar prej tyre.

A i ndiqje zhvillimet politike që ndodhnin në botë e në Shqipëri?

Patjetër, zhvillimet politike në botë dhe në Shqipëri, ndiqeshin me mjaft inters nga e gjithë mërgata politike shqiptare. Në janarin e vitit 1971 kur filluan në Varshavë bisedimet amerikano-kineze, ne i pritëm me mjaft interes. Ky interes na u shtua së tepërmi nisur dhe nga fakti se qeveria shqiptare nuk e priti mirë atë lajm dhe ishte tepër e shqetësuar për ç’ka po ndodhte me Kinën, që e kishte të vetmin shtet mik ku mbështetej. Pas kësaj në mes Shqipërisë e Kinës nisën kontraditat e para, gjë e cila në atë kohë dukej se i interesonte edhe amerikanëve.

Ku e shikonte mërgata politike shqiptare interesin konkret në bisedimet amerikano – kineze?

Kur nisën ato bisedime ishte më se e natyrshme se nuk mund të mos kishte një rishikim të politikës amerikane edhe ndaj Shqipërisë, prandaj mërgata politike shqiptare i ndiqte me mjaft interes ato zhvillime.

Ku konsistoi realisht rishikimi i politikës amerikane ndaj Shqipërisë, pas kontraditave të para të Tiranës zyrtare me Pekinin?

Hapi i parë që ndërmori qeveria amerikane, ishte veprimi për të shpërndarë Komitetin “Shqipëria e Lirë”. Nga shumë prej nesh ky veprim u keqkuptua, por ai ishte një hap i zgjuar i SHBA-së për përmirësimin e mardhënieve të Washingtonit me Tiranën zyrtare. Por Enver Hoxha ishte tepër kokëfortë dhe ai jo vetëm që nuk kishte ndërmend të përmirësonte marrëdhëniet me SHBA-ve, por përkundrazi, u acarua dhe me Kinën që po i afrohej Amerikës.

Si rezultat i këtij qëndrimi që mbajti Tirana zyrtare, amerikanët kundër vepruan duke rinjohur Komitetin “Shqipëria e Lirë” dhe duke e financuar atë. Pas kësaj, pati një ripërtëritje të të gjithë organizatave që përbënin atë Komitet dhe qeveria amerikane, duke e njohur si të vetmin përfaqësues të emigracionit antikomunist në Botën Perëndimore, e përkrahu atë dhe politikisht.

Pas rinjohjes së Komitetit “Shqipëria e Lirë”, çfarë hapash ndërmori ai?

Me rinjohjen e Komitetit, ish-Kryetari i saj Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Gërmenji, ish-zv/kryetar i Komitetit “Evropa e Robëruar” dhe disa të tjerë, vendosën që të krijonin organizatën “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare”, e cila kuptohet do të ishte ilegale.

Pas këtij vendimi u morën kontakt (me telefona e fax) me disa grupe emigrantësh shqiptarë antikomunistë në SHBA-ve, Francë, Bruksel, Romë, etj., të cilët pranuan të anëtarësoheshin aty dhe filluan krijimin e komisioneve.

Pse do krijohej në mënyrë ilegale kjo organizatë?

Organizata ishte ilegale, sepse për të qenë legale duhej marrë leja e nevojshme në bazë të programit që paraqisje. Për ta bërë atë legale, Prof. Vasil Gërmenji shkoi në Washington dhe takoi zv/Sekretarin e Departamentit të Shtetit për Ballkanin, z. Zhosef Shishko, të cilit i parashtroi planin e organizatës. Z. Shishko i tha Gërmenjit që: hë për hë nuk duhej bërë asnjë veprim.

Në atë takim merrte pjesë dhe majori Tomas Smith, i ngarkuar me emigracionin antikomunist shqiptar, i cili e dinte mjaft mirë gjuhën shqipe dhe e fliste në dialektin shkodran.

Ai kishte jetuar disa vite në Shqipëri, pasi babai i tij kishte shërbyer si Konsull në Shkodër, në kohën e Zogut. Z. Smith i tha Vasilit, se organizata që kishin krijuar, nuk kishte asnjë platform politike dhe ishte organizatë terroriste.

Dhe si e tillë, ajo nuk mund të pranohej as për parti politike, sepse ishte Front, nga që kishte katër parti të tjera brenda.

Pas refuzimit për njohjen e “Frontit të Rezistencës” si u veprua nga krerët e saj?

Edhe pse autoritetet amerikane nuk pranuan ta njihnin “Frontin e Rezistencës”, ajo e vazhdoi aktivitetin e saj në mënyrë ilegale. Hapi i parë ishte organizimi i mbledhjes së pesë partive shqiptare në Madrid të Spanjës në vitin 1972. Kjo gjë u morr përsipër nga Leka Zogu, i cili ndërhyri tek shoku i tij i shkollës, Princi trashëgimtar Huan Karlos, që ai të bisedonte me gjeneralin Franko.

Në takimin e dytë që pati Leka Zogu me Princin Huan Karlos, ai e pyeti se sa emigrant shqiptarë ndodheshin jashtë Shqipërisë, Leka i’u përgjigj se që nga viti 1944 e deri në atë kohë, në gjithë Perëndimin duhet të ishin 15.000 vetë të arratisur.

Pas kësaj, Lekës i’u dha e drejta që në gushtin e vitit 1972, të bënte një mbledhje në Madrid, me të gjithë krerët e partive politike shqiptare në Perëndim.

Kush mori pjesë në atë mbledhje dhe çfarë dini rreth saj?

Me sa më kujtohet kjo mbledhje u mbajt në korrik të vitit 1972, Partia e Ballit Kombëtar u përfaqësua me Prof. Vasil Gërmenjin, Hasan Dosti i Partisë ‘Balli Kombëtar Agrar’, dërgoi zv/ e tij Petraq Ktonën, ‘Legaliteti’, dërgoi Fuat Myftinë, ‘Blloku Indipendent’, Ismail Vërlacin e Ndue Pjetër Gjomarkajn, ‘Balli Kombëtar’ i Ali Këlcyrës dërgoi juristin Halim Begeja, ndërsa Partia e Ballit të Abaz Ermenjit, më duket se u përfaqësua nga vetë Ermenji.

Aty u diskutua mundësia e bashkimit të këtyre partive në një front të përbashkët dhe krijimi i një qeveria demokratike në emigracion. Kjo qeveri do të ishte e tipit perëndimor dhe do të udhëhiqte të gjitha veprimet për përmbysjen e qeverisë komuniste të Enver Hoxhës.

Nga sa më pati treguar Prof. Vasil Gërmenji, gjatë mbledhjes, dikush propozoi që në krye të forcave të armatosura që do të zbarkonin në Shqipëri, të vihej Leka Zogu, meqenëse ai kishte mbaruar shkollat ushtarake. Mirëpo ky propozim u kundërshtua nga njëri prej eksponentëve ballistë dhe si përfundim mbledhja dështoi.

I gjithë problem i krerëve antikomunistë shqiptar që solli dhe përçarjen ndërmjet tyre, ishte se kush do të merrte “timonin” e Frontit të Bashkuar kur të rrëzohej Enver Hoxha.

Ç’u bë pas dështimit të asaj mbledhje, pati tentative për t’u bashkuar përsëri?

Në fund të mbledhjes së Madritit, Vasil Gërmenji propozoi që të zhvilloheshin përsëri tratativa që të arrihej marveshja dhe mbledhja të zhvillohej në selinë e Komitetit “Shqipëria e Lirë” (Manhattan, 34 rrugët Lexington Avenue, në New York) ku ne kishim katër zyra, që ishin trashëguar që nga viti 1949, prej Mit’hat Frashërit.

Në atë mbledhje që drejtohej nga Vasil Gërmenji, Stavro Skëndi, Rakip Frashëri, Dr. Hamdi Uruçi, Athanas Gega etj., mora pjesë edhe unë.

Aty u shpall krijimi i organizatës “Fronti i Rezistencës Antikomuniste Shqiptare” dhe u vendos që të mbahej një tubim i madh ku të merrnin pjesë të gjithë ata që ishin të gatshëm të luftonin për rrëzimin e diktaturës komuniste të Enver Hoxhës.

Pas kësaj në shtatorin e vitit 1973, u mbajt një mbledhje tjetër shumë më e zgjeruar, ku me propozimin e Dr. Rexhep Krasniqit, kryetar i “Frontit të Rezistencës” u zgjodh Vasi Gërmenji, ndërsa zëvëndës i tij, Stavro Skëndi.

Si këshilltar të tyre, Krasniqi propozoi veten e tij e Rakip Frashërin, ndërsa mua më propozoi sekretar organizativ të asaj organizate. Pas zgjedhjes sonë, u zgjodhën dhe nëntë sekretarë organizativ lokal me banim në shtete të ndryshme të SHBA-ve, ku jetonin e punonin shumë shqiptarë. Dy sekretarë të tjerë do të ishin në Kanada dhe shtatë të tjerë në shtetet e ndryshme të Europës, ku kishte mjaftë emigrant politikë shqiptar.

Kush ishte Avdul Hakan Banushi?

Abdul Banushi u lind në vitin 1927 në fshatin Golem të krahinës së Kurveleshit të Gjirokastrës. Pas mbarimit të shkollës fillore në fshatin e tij të lindjes, Avdyli ndoqi mësimet në gjimnazin e qytetit të Durrësit.

Ndërsa gjatë periudhës së pushtimit të vendit (1939-1944), e gjithë familja e tij u lidh me Lëvizjen Antifashiste dhe baba i tij, Hakani, u inkuadrua në rreshtat partizane në Brigadën e V-të Sulmuese, Avduli u angazhua në radhët e organizatës nacionaliste të “Ballit Kombëtar”, në qytetin e Durrësit.

Duke qenë një nga eksponentët kryesorë të Rinisë së Ballit Kombëtar në atë qytet, gjatë vitit 1943, ai morri pjesë në disa demonstrata antifashiste të organizuar nga rinia nacionaliste e rrethit të Durrësit.

Më 23 nëntor të vitit 1943, ai u arrestua nga gjermanët dhe shkak për këtë, u bënë dokumentat e SIM-it italian, (ku ai figuronte si pjesmarës aktiv në disa demonstrata), të cilat pas kapitullimit të Italisë, ranë në duart e forcave gjermane që morën menjëherë nën kontrollin e tyre të gjitha qytetet dhe zyrat ku kishin qenë forcat ushtarake italiane.

Nga qyteti i Durrësit ku ai u izolua fillimisht nga ana e forcave gjermane, së bashku me 73 persona të tjerë po nga ai qytet, u dërguan në burgun e Tiranës. Pas disa kohësh, së bashku me një grup të madh të burgosurish, Avdul Banushi u dërgua për në kampin gjerman të Prishtinës në Kosovë dhe prej andej, ata u transferuan për në burgun e ,Landsberger i cili ndodhej në një kështjellë mesjetare në krahinën e Bavarisë.

Në atë burg ku kishte edhe shumë shqiptarë të tjerë, Avdul Banushi qëndroi deri në tetorin e vitit 1944, ku i transferuan përsëri për në kampin e Dakaut, ai punoi në hapjen e llogoreve, që gjermanët filluan t’i ndërtonin, për t’u mbrojtur nga tanket e forcave aleate anglo-amerikane, që po i afroheshin kampit ato ditë.

Më 14 prill të vitit 1945, Avdul Banushi së bashku me të burgosurit e tjerë të atij kampi të shfarosjes në masë, mundën të liroheshin prej aty me ndihmën e anglo-amerikanëve dhe u nis duke udhëtuar për në drejtim të Italisë.

Pasi mbërriti në gadishullin Apenin, me ndihmën e anglo-amerikanëve, Banushi u sistemua në Kampin e Rexhio-Emilias, ku asokohe ndodheshin edhe dhjetra shqiptarë të tjerë që ishin larguar nga Shqipëria si emigrant politikë në fundin e nëntorit të vitit 1944, për t’i shpëtuar hakmarrjes së komunistëve të Enver Hoxhës.

Pas disa ditësh qëndrimi në atë kamp ku ndodheshin edhe pjesa më e madhe e krerëve kryesorë të organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar” dhe ata të “Lëvizjes së Legalitetit” me në krye Mit’hat Frashërin dhe Abaz Kupin, Avdul Banushit i doli emri për t’u kthyer në Shqipëri, sipas kërkesës që ai vetë kishte bërë me shkrim.

Pak orë para nisjes për në Shqipëri, ish-Prefekti i Gjirokastrës, Rasim Babameto, si patriot (bashkëqytetar) që e kishte, i dha një letër Avdulit, që t’ua dërgonte njerëzve të familjes së tij që jetonin tek Pallatet “Shallvare” në Tiranë.

Më 20 tetor të vitit 1945, kur Avduli me disa shqiptarë të tjerë që kishin kërkuar për t’u riatdhesuar, mbërritën me një avion të vogël në aerodromin ushtarak të Laprakës në periferi të Tiranës, ata i’u nënshtruan një kontrolli të rreptë nga rojet partizane që ishin aty si efektiva të strukturave të Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Pasi i’a sekuestruan letrën e ish-Prefektit Babameto, rojet partizane e lanë të lirë Avdulin dhe ai u nis drejt fshatit të tij të lindjes, në Golem të Gjirokastrës.

Por ndërsa ai nuk ishte çmallur mirë me prindërit, vëllezërit e motrat, aty mbërritën disa efektivë të forcave policore nga Gjirokastra, të cilët “në emër të popullit” e arrestuan dhe me një makinë të mbyllur e sollën në Drejtorinë e Sigurimit të Shtetit në Tiranë.

Mbas një procesi hetimor që zgjati rreth 18 muaj, Avdul Banushi doli në gjyq dhe u dënua me 18 vjet burg politik, duke u akuzuar për “veprimtari armiqësore në bashkëpunim dhe si agjent i anglo-amerikanëve”.

Arsyeja e vërtetë e dënimit të Banushit ishte pjesmarrja e tij me forcat e organizatës nacionaliste “Balli Kombëtar”, ndërsa si pretekst u gjet letra që i kishte dhënë atij Rasim Babameto në kampin e Rexhio-Emilias.

Pasi vuajti dënimin në kampin e Vloçishtit dhe Kënetën e Maliqit në rrethin e Korçës e pjesën më të madhe në burgun e Burrelit, Avduli u lirua më 10 shkurt të vitit 1961, pasi kishte fituar disa vjet ulje nga amnistitë e dhëna në atë kohë.

Pas lirimit nga burgu, ai u kthye në shtëpinë e tij në fshatin Golem të Kurveleshit, ku nuk qëndroi shumë kohë i lirë, pasi e morën dhe e internuan në qytetin e Fierit, ku pas disa ditësh (më 8 gusht të atij viti), e arrestuan përsëri dhe e izoluan në një nga birucat e Degës së Punëve të Brendshme të atij qyteti, nga ku ai mundi të arratisej që natën e parë. Po atë natë, ai u nis në drejtim të rrethit të Gjirokastrës dhe që andej ai kaloi kufirin shtetëror, duke u arratisur për në Greqi.

Pas disa kohësh qëndrimi në kampin e Llavrios, ai mundi që të fitonte statusin e azilantit politik dhe të shkonte në Perëndim. Më 31 maj të vitit 1962, Banushi mbërriti në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku u sistemua me punë dhe gjithashtu ndoqi studimet e larta universitare duke u diplomuar për Inxhinieri Mekanike.

Gjatë qëndrimit në SHBA-ve ai u angazhua në radhët e mërgatës politike shqiptare dhe në vitin 1974-75, ai hyri disa herë ilegalisht në Shqipëri me misionet sekrete, të cilat ishin organizuar nga ana e Komitetit “Shqipëria e Lirë”, me qendër në New York.

Më 8 prill të vitit 1975, Avdul Banushi u kap nga ana e forcave të Sigurimit të Shtetit, teksa ai ishte futur në brendësi të kufirit shqiptar në afërsi të Hanit të Hotit. Kapja dhe arrestimi i tij u bë me anën e një gracke që ishte përgatitur e përpunuar deri në detaje nga vetë ish-Ministri i Punëve të Brendshme të asaj kohe, Kadri Hazbiu.

Edhe pse u mbajt për rreth dy vjet i izoluar në një nga qelitë e ‘Repartit 313’ (Burgu i Tiranës), i futur në një arkivol, ku merrej në pyetje nga vetë ministri Kadri Hazbiu e zv/ministri Feçor Shehu, Banushi nuk pranoi asnjë nga akuzat që i bëheshin si “agjent i amerikanëve” që ishte dërguar në Shqipëri me mision sekret nga CIA.

Pas kësaj ai doli në gjyq ku u dënua me 25 vjet heqje lirie dhe u dërgua për të vuajtur dënimin në burgun e Burrelit, nga ku mundi të lirohej vetëm në vitin 1991, me të fundit të burgosur politik që lanë qelitë e atij regjimi, që ishte në grahmat e fundit.

Pasi doli nga burgu, ai u rikthye në qytetin e Gjirokastrës, ku krijoj familje dhe aty jetoi me bashkëshorten dhe vajzën, deri sa ndërroi jetë në vitin 2010. /Memorie.al

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here