Gazetari Blendi Fevziu në nisje të emisionit të sotëm “Opinion”, u shpreh se do të bënte një njoftim, të cilin e quajti më të vështirin në jetën e tij.
Ndryshe nga sa ka qarkulluar lajmi ditën e sotme për ndarjen nga jeta të ish-kreut të Kadastrës, Artan Lame, Fevziu sqaron se ky i fundit është ende në jetë por ndodhet në koma cerebrale.
Fevziu shprehet se ky lajm është një kërkesë e familjes së tij, që një gjë që nuk ka ndodhur të mos bëhet fakt i kryer. Ndërkohë Lame ndodhet në gjendje të vështirë shëndetësore.
“Kam një anonçim të shkurtër, që është padyshim një nga anonçimet më të vështirë që do të bëj ndoshta edhe në të gjithë jetën time. Një nga miqtë e mi personal, një nga njerëzit jam i bindur e ka dashur Shqipërinë dhe historinë e saj më shumë se shumë të tjerë. Artan Lame ndodhet në momente shumë të rënda të jetës së tij.
Sot paradite ka dalë lajmi që ai iku nga kjo jetë, në fakt ai ndodhet në koma cerebrale. Ka hyrë në një operacion të rëndë në zemër, pas një problem disajavorë. Operacioni nuk ka arritur ta zgjojë më, pra ai është në koma cerebrale, por është ende në jetë. Mjekët thonë që mundësia që ai të jetojë është thuajse…, pra është e vështirë. Por gjithsesi ai është ende në jetë dhe unë kam një porosi nga familja e tij që ta bëjë këtë anonçim për të thënë që të mos bëhet fakt i kryer diçka që nuk ka ndodhur ende”, u shpreh Blendi Fevziu.
Artan Lame mes dy botëve
Sot në mëngjes u dha lajmi se ish-kreu i Kadastrës, Artan Lame kishte ndërruar jetë në një spital në Gjermani, pas një komplikacioni në zemër.
Në fakt, këtë mbrëmje u bë me dije se kjo nuk është e vërtetë, pasi Lame ndodhet në koma cerebrale, një gjendje e rëndë por gjithsesi ku pacienti cilësohet në jetë, ndonëse me shanse të vogla mbijetese.
Gazetari Lutfi Dervishi tregon se kjo nuk është hera e parë që Lame “ka parë vdekjen me sy”.
Ja çfarë shkruan ai në rrjetet sociale:
Artan Lame mes dy botëve
Sot në mëngjes, lajmi i ditës ishte se Artan Lame kishte ndërruar jetë.
Në mbrëmje, lajmi ndryshoi: Artan Lame nuk ka ndërruar jetë. Është në gjendje kome.
Nuk është hera e parë që jeta i jep një kthesë të tillë. Edhe në vitin 2016, pas çarjes së aortës, gjithçka dukej se po përfundonte. Dhe ai u kthye si dëshmitar që kishte parë bregun tjetër, por zgjodhi të qëndronte pak më gjatë në këtë anë.
Ka diçka të thellë, thuajse metafizike, në këtë ndalesë mes jetës dhe vdekjes. Si një pushim fryme, një hapësirë ku as fjala nuk guxon të dalë përpara jetës.
Dhe nëse Artan Lame do të rikthehet, siç bëri një herë më parë, do të jetë ndoshta i vetmi njeri që ka lexuar të gjitha ngushëllimet për veten… dhe është kthyer për t’ia dalë një herë tjetër.





