“Marigona ishte vajzë e urtë dhe nuk fliste shumë. Ishte shumë e mirë, krimineli i mori jetën”. Kështu u shpreh babai i të ndjerës 18-vjeçare, e cila u la e pajetë përpara spitalit në Ferizaj. Marigona Osmani u dhunua për vdekje nga bashkëshorti i saj, Dardan Krivaqa, 29 vjeç.

Babai i Marigonës, Muhabia, flet për herë të parë pas vrasjes të së bijës për mikrofonin e emisionit “Shqipëria Live” në Top Channel. Në këtë intervistë, ai tregon për dhunën ndaj vajzës së tij dhe përmend kanunin.

“Jemi duke përjetuar shumë raste të rënda. Ne nuk kemi ditë që do na ndodhë ky rast. Kemi qenë të bindur se çdo gjë ka qenë në rregull, por paska qenë mashtrim. Kemi pasur marrëdhënie shumë të mira, vajzë e sinqertë, e urtë, shumë e mirë, nuk kemi pasur telashe me të. Krimineli i mori jetën. Ai e ka mbajtur vajzën nën vëzhgim. Nuk ka pasur telefon. Mama e vet ka shkuar dy herë në banëse, dhe ka qenë e mbyllur. Dardani e mbyllte brenda me çelës në shtëpi, e ka zbuluar nëna e Marigonës”, tha Muhabia.

Ky i fundit shtoi se vajza u kishte thënë se çdo gjë ishte në rregull dhe ata mendonin kështu.

“Vajza e mori vetë dhe nuk kishim si të ndërhynim. Ishte e mbyllur nuk tregonte, por ai paska qenë kriminel. Vajza nuk fliste pa miratimin e tij, ja shpreha bashkëshortes frikën time”, tha babai i të ndjerës.

Muhabia shtoi se Dardani kishte 136 krime dhe ishte i lirë, ku ai duhej të ishte në burg dhe nuk duhej të dilte nga aty.

“Kemi ligjin e kanunit”/ Flet babai i 18-vjeçares së

“Nuk e kuptoj se si ka qenë i lirë. Nuk do të ndodhte ky krim nëse nuk do të dilte”, tha babai i Marigonës, i cili shtoi se nëse nuk merr vendimin e merituar, do të bëjnë vetëgjyqësi.

Sipas tij, nëse ligji nuk funksionon, ata kanë ligjin e kanunit.

“Nëse shteti nuk jep verdiktin e vet, ne kemi ligjin e kanunit. Kemi variantin plus, kanunin e Lek Dukagjinit”, përfundoi ai.