ITALI- Leonardo Di Falvo, i fejuari i 27-vjeçares shqiptare Donatella Hodo, e cila javën e kaluar, duke thithur gaz nga soba në qeli, i dha fund jetës në burgun Veroneze të Montorios ka reaguar për herë të parë pas ngjarjes së rëndë. 24-vjeçar ika thyer heshtjen dhe vetëvrasjen e Hodos e konsideron një pasojë të braktisjes së të resë nga të gjithë. Ai shton më tej se të gjithë e kishin lënë vetëm Donatellën, dhe se i vetmi që i qëndronte pranë ishte ai. Leo tregon gjithashtu se për herë të fundit e ka takuar në burg, mëngjesin e 1 gushtit, ditën e saj të fundit të jetës.

“Nuk ishte vetëvrasje e një të droguare në burg. Donatella, Dona ime, kishte një vit që ishte e pastër. Tani që iku, lexoj dhe dëgjoj komente për helmin. Shumë po bëjnë gjykime pa ditur asgjë për të. Jam i inatosur. Jam i zemëruar me gjithë botën, me sistemin, burgun, gjyqtarët, gardianët, familjen, miqtë e saj. Por unë jam i mërzitur edhe me të, me Donën, sepse ajo duhej të bënte edhe pak durim. Ajo do të dilte së shpejti, unë kisha përgatitur gjithçka për të. E dëgjoja, e qetësoja, i qëndrova pranë, e telefonova, shkova ta vizitoja. Sidomos në periudhën e fundit pasi e kishin rikthyer në qeli sepse kishte ikur nga komuniteti, e kishin braktisur. Të gjithë përveç meje. Me gjestin e saj më bllokoi edhe mua jetën. Koha ka ndalur për mua, minutë pas minutë, orë pas ore, vazhdoj të pyes veten pse. Çfarë i ndodhi asaj? Ka ndodhur diçka që unë nuk e di? Ajo ishte Dona e zakonshme… me ulje-ngritjet e saj. E kisha njohur që kur ishim adoleshentë, të paktën për dhjetë vjet, isha i vetmi që mund ta qetësoja. Thamë të dua, u puthëm duke u përqafuar. Me t’u larguar, e sigurova se do ta telefonoja dhe do të kthehesha tek ajo javën tjetër, si gjithmonë. Nuk kam munguar kurrë, do të kisha bërë gjithçka për të, gjithçka. Unë e mora një shtëpi me qëllim për të qenë bashkë, ajo ëndërronte të bëhej estetiste dhe unë i kisha gjetur një punë kur të dilte. Do ta kisha pritur përgjithmonë, pse na e prishi kështu ëndrrën? Ne i premtuam njëri-tjetrit dashuri përgjithmonë, pse shkatërroi gjithçka? Çfarë ndodhi?”- është shprehur Leonardo.

Donatella Hodo i dha fund jetës së saj në burg në Itali. Ajo ishte e varur nga lëndët narkotike dhe për t’i blerë ato, vidhte e grabiste. Së fundmi, Hodo po i nënshtrohej një terapie, por krejt papritur një mengjes u gjet e vdekur në qeli. Ajo kishte mbështjellë kokën me qese dhe kishte thithur tymin e sobës në qeli.