Askush nuk do ta besonte lajmin e hidhur të mëngjesit të atij fund tetori të 2017-s. Adelajda Xhamani, ish-banorja simpatike e edicionit të dytë të ‘’Big Brother Albania’’, vajza që theu rregullat e ngurta të mentalitetit patriarkal dhe ndoqi ëndrrën e saj, nuk jetonte më.

Moderatorja simpatike u gjet e vdekur në apartamentin e saj të dielën e 29 tetorit të kaluar. Një lajm që do të prekte të gjithë miq, familjarë, kolegë, por edhe atë, djalin me të cilin ajo zgjodhi të luftonte brenda dhe jashtë mureve të shtëpisë më të vëzhguar në Shqipëri.

Ndonëse ata u ndanë dhe Bjordi Mezini vazhdoi me jetën e tij jashtë Shqipërie, i ftuar në emisionin “Natën me Aulonën”, Bjordi ka folur për Adelën, për të cilën tha se e kujton shpeshherë.

“Unë dhe Adela kishim vite që ishim ndarë kur ndodhi ajo që ndodhi, dhe rrugët tona ishin ndarë, ishim dy njerëz që kishim ndarë një pjesë të mirë të jetës bashkë, ishim shumë të rinj dhe gjërat ndryshojnë, por po normalisht që e kujtoj shpesh, ka qenë shumë e rëndësishme, ishte një vajzë fantastike dhe nuk e mohoj dot”, tha regjisori.

I pyetur për defektin më të madh që ka ai si njeri, në çift, tha se ishte egoist, duke thënë se të parat vë prioritetet e gjërat e veta, jo të partneres.