Njeriu në Shqipëri nuk di se nga të ruhet më parë. Natyrisht këtij postulati nuk i shpëtojnë as pronat e tij, siç në rastin konkret është një makinë.
Një qytetar fatkeq kishte parkuar fuoristradën e tij në Bulevardin “Gjergj Fishta” në Tiranë por kur u kthye për ta marrë pas disa orësh nuk u besoi syve.
Mjeti i tij ishte përplasur nga pas nga një mjet tjetër i paidentifikuar duke u dëmtuar jo pak.
Nga pamjet duket se mjeti që e ka goditur nga pas, ka qenë me shpejtësi dhe me shumë mundësi duhet të ketë humbur kontrollin. Për fat të mirë, shoferi që kishte bërë dëmin mësohet se ka lënë një shënim tek makina e dëmtuar.
Por ky shënim e ka lënë pa fjalë shoferin e shkretë që sapo mësoi se i kishin përplasur makinën. Në shënim ishte lënë një numër telefoni ku shkruhej se dëmtuesi do të përgjigjej për dëmin e shkaktuar, por i dëmtuari duhet ta merrte në telefon vetëm pas orës 12.