Sokol Toma është dhunuar brutalisht mbrëmjen e së shtunës në autostradën “Mamurras–Laç”, pranë kryqëzimit të Sanxhakut, ndërsa policia ka nisur hetime intensive për zbardhjen e ngjarjes.
Sipas Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, 53-vjeçari është goditur me sende të forta nga disa persona ende të paidentifikuar, duke pësuar dëmtime të rënda në trup. Burime bëjnë me dije se autorët dyshohet se i kanë thyer këmbët dhe i kanë prerë një pjesë të veshit.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e policisë dhe grupi hetimor, të cilët kanë nisur veprimet për dokumentimin e plotë të ngjarjes.
Policia njofton se janë sekuestruar pamjet filmike të kamerave të sigurisë në një territor të gjerë përgjatë aksit rrugor, ndërsa hetimet po zhvillohen nën drejtimin e Prokurorisë me synim identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Sipas të dhënave paraprake, autorët kanë përdorur mjete të forta gjatë sulmit dhe më pas janë larguar nga vendngjarja.
Spitali Universitar i Traumës konfirmoi se Sokol Toma ndodhet nën kujdes intensiv mjekësor, në gjendje të stabilizuar, ndërsa po merr trajtim për dëmtimet e marra në gjymtyrët e poshtme dhe në vesh.




