Përpara mbajtjes së zgjedhjeve të 25 prillit, Presidenti i Republikës Ilir Meta ka pasur si synim që të fitonte një mandat të dytë në krye të shtetit dhe më pas t’u futej rrugës së diplomacisë.

Planet që kishte para zgjedhjeve Meta i tregoi në një intervistë në A2CNN ndërsa shtoi se nuk është aspak i shqetësuar për përfundimin që do të ketë procesi i shkarkimit, i iniciuar nga mazhoranca.

“Që pas 25 prillit, mezi pres 24 korrikun. Më herët, unë kisha një plan tjetër. Kisha në plan për një mandat të dytë si president dhe pastaj të largohesha nga politika, t’i hyja një karriere të re, asaj të diplomacisë. Gjithmonë me dëshirën që të rikuperojmë disa dëme që i janë bërë kushtetutës, por edhe për institucionin e Presidentit të Republikës për të ardhmen, jo për Ilir Metën.”

Kurse, i pyetur nëse do të kishte dashur të votohej nga populli për një mandat të dytë, Meta u shpreh:

“Unë kam dashur që të votohesha nga populli edhe para 3 vitesh, kur u krijua kriza e djegies së mandateve, kur u krijua kriza e zgjedhjeve lokale. Unë kam thënë se e vetmja zgjidhje është vota. Unë respektoj votën e sovranit. Planet e mia ndryshuan sepse themelet e Republikës janë goditur shumë rëndë. Këtu duhet të bëhet një ndryshim nga themelet.”