Një gol në sekondat e fundit në ndeshjen Maliqi-Vora, ndikoi që situata të dilte nga kontrolli në aneksin e stadiumit “Skënderbeu” në Korçë.

Maliqi gjeti shënoi golin e fitores në minutën e 97-të me anë të Isufit, teksa në këtë moment, futbollistët miq iu vërsulën gjyqtarit anësor Rexhep Muzhiqi, duke e shtyrë dhe goditur, me pretendimin se goli ishte në pozicion të parregullt.

Të tërbuar nga kjo situatë, futbollistët e Vorës, u konfrontuan edhe me 4 tifozë të Maliqit, ndërkohë që situata doli nga kontrolli. U desh ndërhyrja e forcave të sigurisë dhe policisë së shtetit, që gjendja të merrej nën kontroll, teksa përplasja zgjati gati 5 minuta.

Disa prej futbollistëve të Vorës ndodheshin jashtë rrethimit të brendshëm të aneksit, duke shkëmbyer grushta dhe shkelma me 4 tifozët e Maliqit. Pjesa tjetër e tifozëve nga Vora tentuan të kapërcenin hekurat.

Miqtë nga Vora u ngujuan për minuta të tëra në aneksin e stadiumit “Skënderbeu”, ku lëvizën lirisht në momentin që e gjithë zona u boshatis.