KLGJ shkarkon nga detyra gjyqtarin Roland Hysi: I kërkoi marrëdhënie sek*uale një nënë për t’i dhënë kujdestarinë e fëmijës

KLGJ ka pranuar kërkesën e ILD Artur Metani për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit Roland Hysi dhe ndërprerjen e marrëdhënieve financiare të tij.

Inspektori i Lartë i Drejtësisë Artur Metani i kërkoi KLGJ hetimin disiplinor ndaj gjyqtarit Roland Hysi, i cili është dënuar për ngacmim seksual.

Ai i kërkoi marrëdhënie seksuale një gruaje, me kusht që ti jepte kujdestarinë e fëmijës.

Veprimet e gjyqtarit kanë cenuar veprimtarinë e rregullt të organeve të drejtësisë nga veprimet e parregullta të personave të jashtëm, por edhe nga veprimet e vetë atij si funksionar i drejtësisë.

Vepra penale sipas ILD-së është kryer me dashje direkte, me motiv kryesor përfitimin e një shume të konsiderueshme monetare, si dhe kërkimi i favoreve seksuale përkundrejt dhënies së një vendimi civil, në favor të njërës palë në proces gjykimi nga gjyqtari R.H. Kur shkelja disiplinore e kryer është aq e rëndë sa e bën magjistratin të papërshtatshëm apo të padenjë për të vazhduar funksionin e tij, atëherë masa disiplinore nuk mund të luajë më rol edukues.

Në këtë rast, masa disiplinore merr përsipër të mbrojë interesin publik, duke larguar nga detyra magjistratin dhe duke u kthyer kështu në masë me natyrë të pastër ndëshkuese ndaj tij. Dënimi i gjyqtarit për kryerjen e një krimi dhe forma e prerë e këtij vendimi, sugjerojnë caktimin e masës disiplinore të shkarkimit nga detyra.