Kryeministri Edi Rama doli në terren për të bërë inspektime në markete lidhur me vendimet e marra nga Bordi i Transparencës për produktet e shportës. Teksa u shfaq i shoqëruar nga ministrja e Financave Delina Ibrahimaj, Rama tha se pas mbledhjes së bordit produktet e shportës kanë pësuar ulje. Ai theksoi se është e rëndësishme që të mos ketë abuzime me çmimet në kurriz të qytetarëve.

“Ne kemi bërë takimet e bordit, shqetësimin kryesor e kemi tek artikujt që blihen më shumë nga njerëzit, miell, oriz vaj. Kemi rënë dakord që për këto produkte të kemi disa çmime me marzhe fitimi të ulët”, tha Ibrahimaj.

Pjesë nga biseda:

Shitësi: Ka pasur, janë rritur 20-30% luhatje. Të gjitha. 130 lekë, tani 159 lekë.

Rama: Prap edhe kjo ulja është me rëndësi. Ulja nga 330 në 305 është brenda atyre kushteve, ajo që ne duam. Po mielli?

Shitësi: Edhe mielli ka qenë 70 lekë u rrit, tani e ulëm prapë.

Rama: Këto janë produktet që kanë rëndësi bashkë. Edhe sheqeri është ulur?

Shitësi: Po edhe sheqeri.

Rama: E rëndësishme është që ushqimet bazë të ulen dhe marzhi i fitimit të jetë minimal dhe mos të ketë abuzime në kurriz të njerëzve.