Një 20-vjeçar francez është gjetur pa shenja jete në orët e para të mëngjesit të sotëm në Ksamil.

Sipas njoftimit të Policisë, rreth orës 05:15, i riu, i identifikuar me inicialet M. M., është gjetur në shezlongët e plazhit, pranë një lokali. Nga veprimet paraprake dyshohet se ai është goditur me një mjet prerës, thikë.

Policia dyshon se ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta. Për ngjarjen është identifikuar si autor i dyshuar shtetasi S. V., 29 vjeç, banues në Has, i cili sipas Policisë është larguar menjëherë pas ngjarjes.

Shërbimet e Policisë kanë nisur kontrollet për lokalizimin dhe kapjen e të dyshuarit.

Ndërkohë, grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes dhe dokumentimin e saj ligjor.

Hetimet vijojnë, ndërsa rrethanat e sakta të konfliktit dhe ngjarjes mbeten ende për t’u përcaktuar.